Oliver Stone në kokën e Vladimir Putinit

Stone është ashpërsisht kundër sistemit amerikan, kundër “imperializmit” në të gjitha variantet e gjysmë shekullit të fundit (analizuar me kujdes në filmat e tij), për të mos qenë i kënaqur - në fakt shpesh qesh bashkë me Putinin - teksa dëgjon aktakuzën e të ftuarit të tij. Përveç kësaj, mediat amerikane kanë zbuluar djali i tij, Sean punon për “Russia Today”, një nga gazetat propagandistike të Kremlinit

61

Nga Pierre HASKI

Në vitet e fundit, autorë të ndryshëm janë përpjekur që të hyjnë, për të huazuar titullin e librit të shkrimtarit francez Michel Eltchaninoff, në kokën e Vladimir Putinit. Presidenti rus – në pushtet në vendin e tij për 17 vjetësh, e si rrjedhojë, një nga njerëzit e fortë të një epoke të rrezikshme – obsesionon, magjeps, tmerron ose josh të gjithë botën, duke përfituar nga imazhin e tij, si dhe një komunikim i kontrolluar me kujdes. Ja një tjetër përpjekje për t’iu afruar sa më shumë që të jetë e mundur Putinit, e bërë këtë herë nga një regjisor i madh amerikan, Oliver Stone, i cili në të kaluarën është marrë me Kennedyn (në filmin JFK), Nixonin, Fidel Castron, dhe kështu me radhë. Por këtë herë nuk bëhet fjalë për një “biopic” apo një dokufilm, por një intervistë katër-orëshe, e filmuar në disa takime mes viteve 2015 dhe 2017, montuar dhe vënë në skenë nga Stone, me një Putin më se të disponueshëm. Në SHBA, transmetimi i serisë në rrjetin “Showtime” u shoqërua nga polemika të pashmangshme. Stone është akuzuar, jo padrejtësisht, për një përfillje të tepruar të presidentit rus dhe një qasje që nuk lë shumë vend për saktësi historike, pasi deklaratat e Putinit nuk i nënshtrohen as një kontrolli të fakteve, as një kundërshtimi të tyre. Madje as nga vetë regjisori, që ndërhyn shumë rrallë.

Stone është ashpërsisht kundër sistemit amerikan, kundër “imperializmit” në të gjitha variantet e gjysmë shekullit të fundit (analizuar me kujdes në filmat e tij), për të mos qenë i kënaqur – në fakt shpesh qesh bashkë me Putinin – teksa dëgjon aktakuzën e të ftuarit të tij. Përveç kësaj, mediat amerikane kanë zbuluar djali i tij, Sean punon për “Russia Today”, një nga gazetat propagandistike të Kremlinit. E njëjta polemikë me siguri do të shpërthejë në Francë, kur, më 26 qershor, rrjeti publik France 3 do të transmetojë serinë me katër episode të shoqëruar, me një debat, apo kur të transmetohet në Itali, në një datë që ende nuk është përcaktuar. Por pavarësisht regjisorit, ky film mbetet një dokument i jashtëzakonshëm – me kusht që të vihen në punë disa “masa paraprake”. Kjo vepër ofron mundësi jo vetëm që të hysh në “kokën e Putinit”, por edhe për të analizuar personazhin, që rrallëherë e kemi parë kështu, prapa mureve të trasha të Kremlinit. Vepra është gjithashtu një rast për të reflektuar mbi gjendjen e tensionit dhe konfliktit ku ndodhet bota, 25 vjet pas shpresave të ngjallura nga rënia e Murit të Berlinit dhe fundi i Bashkimit Sovjetik. Për katër orë Putini, ish-agjent i KGB në Gjermaninë Lindore, i bërë në mënyrë të pabesueshme president, i një Rusie në prag të humnerës, pas “intermexos” së mjerueshme të Boris Jelcinit, na jep versionin e tij – “rrëfimin” e tij sipas një shprehje që është në modë – të luftës së re të ftohtë, rrëfim i cili ndryshon shumë nga ai që dëgjohet në korridoret e NATO-s, apo fqinjët e drejtpërdrejtë të “Rusisë së madhe”.

Ndoshta mund të konsiderohet paranojak – në fund të fundit, si mund të mos jetë pak i tillë një spiun profesionist? – por vizioni i tij për dy dekadat e fundit, është ai i një angazhimi të papërmbushur nga amerikanët, për ta trajtuar Rusinë si partner dhe jo si një kundërshtar. “Mëkati i trashëguar” ishte premtimi që Xhorxh Bushi i madh i bëri, sipas tij, Mikhail Gorbaçovit, pas rënies të Murit të Berlinit dhe gjatë marrëveshjes ndërkombëtare për ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990: NATO nuk do të shtrihet përtej kufirit lindor të Gjermanisë së ribashkuar. E dimë vazhdimin, pasi të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, ashtu sikurse të tre vendet baltike, si dhe Shqipëria dhe disa ish-republikat jugosllave (muajt e fundit Mali i Zi) janë tani anëtarë të Aleancës së Atlantikut, dhe ndoshta Gjeorgjia dhe Ukraina do të ishin gjithashtu, po të mos ishte për refuzimin e Francës dhe Gjermanisë në vitin 2008. Ekzistenca e këtij premtimi mohohet nga Perëndimi dhe Putin pranon në filmin e Stone, se bëhej fjalë vetëm për një angazhim verbal. Është interesante të shohësh përbuzjen ironike në fytyrën e Putinit, kur thotë se Gorbaçovi duhej të kishte kërkuar një angazhim me shkrim: “Gorbaçovi ishte i kënaqur që të bisedonte me amerikanët, dhe mendoi se kjo ishte e mjaftueshme. Por gjërat nuk funksionojnë në këtë mënyrë”. Në fund të Luftës së Ftohtë, Vaclav Haveli, i cili u bë president i asaj që ishte ende Çekosllovakia, kishte propozuar shpërbërjen e njëkohshme të dy aleancave ushtarake, NATO-s dhe Paktit të Varshavës, një propozim koherent me entuziazmin pacifist të vitit 1989.

Por Haveli nuk u dëgjua, dhe realiteti mizor strategjik për Putinin, është se Pakti i Varshavës u shpërbë, por aleanca e NATO-s. “Duhet të pyesim se çfarë është NATO,” thotë Putini. “Kam përshtypjen se për të justifikuar ekzistencën e vet, NATO ka nevojë për një armik, dhe kështu që është vazhdimisht duke kërkuar një të tillë, apo edhe provokime, me qëllimq ë ta caktojë armikun (…). Sot, NATO-ja është vetëm një mjet i politikës së jashtme amerikane. SHBA nuk ka aleatë, vetëm vasalë”. Erozioni i ngadalshëm i besimit çoi direkt në krizën e më pas luftën në Ukrainë. Këtu versioni i Putinit bie ndesh atë të Perëndimit dhe vetë Ukrainës. Putini, i trimëruar nga një Oliver Stone që nuk ka nevojë të jetë i bindur, i përshkruan ngjarjet e Sheshit Maidan në 2014 si një “grusht shteti”, ndërsa Perëndimi fliste për revolucion, që synonte të shkëpuste Ukrainën nga Rusia.

BURRAT E VEGJËL TË GJELBËR NË KRIME

Sigurisht Putin nuk gabon kur beson se amerikanët kanë vepruar kundër tij në Kiev, mjafton të kujtojmë Zëvendës Sekretaren e Shtetit të SHBA, Victoria Nuland, e njohur si neo-konservatore, dhe shprehjen e saj “fuck EU” në vitit 2014, në një bisedë të zbuluar nga shërbimet ruse dhe që u hodh menjëherë në Internet. Bashkimi Evropian i kishte vlerësuar me kujdes të gjitha pasojat e strategjike të marrëveshjes ekonomike të asociimit me Ukrainën në vitin 2013? Marrëveshje e cila do të kishte përshpejtuar krizën me Moskën. Përveç kësaj, Evropa, duke e ditur gjendjen ekonomike të Ukrainës, kishte mjetet për të realizuar ambiciet e saj? Megjithatë, hakmarrja e Putinit erdhi pa hezitim, me aneksimin e Krimesë, që nuk ishte aspak ajo përralla që Putini i tregon Stone, por ishte bërë e mundur në sajë të ndërhyrjes së “njerëzve të vegjël të gjelbër”, të cilët u dërguan në provincë shumë kohë përpara referendumit të organizuar nga Rusia, pas marrjes së kontrollit ushtarak të rajonit.

Ndalesa tjetër ishte revolta e Donbassit, bashkë me rajonet rusisht-folëse të Ukrainës lindore, që ka shkaktuar deri tani rreth 10 mijë të vdekur dhe ka krijuar një situatë të rrezikshme bllokimi diplomatik. Putin ofron një nga çelësat e krizës, kur kujton 25 milionë rusët që janë bërë “të huaj” brenda natës me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, në gjashtëmbëdhjetë shtete të pavarura në vitin 1991, dhe që deri atëherë kishin qenë qytetarë të të njëjtit vend. Padroni i Kremlinit është mbrojtës i tyre, siç shihet në Moldavi, Gjeorgji apo Ukrainë, dhe kjo është një nga arsyet e mosbesimit të madh të tre shteteve baltike (Estonia, Letonia, Lituania) – anëtarë të BE-së dhe NATO-s – kundrejt kësaj Rusie të papërmbajtshme. Kjo bisedë shumë e detajuar mes Putin dhe Stone mbi Evropën Lindore, Sirinë apo kërcënimin e asgjësimit bërthamor në rast konflikt, mund të lejojë të pyesësh se si dilet nga situata e konfliktit e kësaj lufte të re të ftohtë.

PËRPJEKJE PËR DIALOG

Pas të paktën një dekade të gërryerjes së besimit dhe krizave që përsëriten, ndoshta ka një mundësi për të përmbysur tendencën. Ekuilibri diplomatik botëror po zien, me një Amerikë kontradiktore, një Evropë që përpiqet të gjejë koherencë dhe unitet, pavarësisht Brexit dhe kërcënimeve të përbashkëta si xhihadi dhe nevoja për të stabilizuar kufijtë e Evropës. Presidenti i ri francez Emmanuel Macron është përpjekur të shfaqet në Versajë si një nga lojtarët më të rinj në skenën ndërkombëtare, duke bërë një ushtrim delikat me Putinin: teksa i shtrëngonte dorën, shprehte njëkohësisht dhe qartë disa pika mosmarrëveshjeje. Që atëherë të dy vendet kanë folur sërish, sidomos për Sirinë, që mund të bëhet një temë sa përplasjeje, aq edhe bashkëpunimi. Ky dialog duhet patjetër të vazhdojë.

Intervista katër-orëshe me Putinin ka avantazhin që të tregojë, se nuk duhet të ushqejmë shumë iluzione rreth një drejtuesi, të vendosur për të ngritur vendin e tij në rangun e një fuqie të respektuar, pavarësisht dekadencës dhe dobësitë e saj. Por edhe se nuk ka nevojë ta konsiderosh Rusinë si një “armik” të përjetshëm, pavarësisht Putinit, e ndoshta edhe falë tij. (Obs)

Comments are closed.