Laura PAPRANIKU
Shkup, 22 mars – Ideja për të vendosur mekanizma që do të kontrollojnë cilësinë e arsimit, me qëllim të përmirësimit të nivelit të dijeve të nxënësve, duket është një prej angazhimeve konkretet që ka marrë përsipër të realizojë sektorit për arsim në Komunën e Çairit, shkruan gazeta KOHA. Qëllimi nuk është të notohen nxënësit dhe as mësimdhënësit sikurse kishim rastin e testimeve eksterne, por të fitohet një pasqyrë reale për cilësinë e arsimit apo nivelin e diturive të nxënësve të shkollave nëntëvjeçare në këtë komunë. Garat dhe kuizet tradicionale që deri tani organizoheshin me nxënësit më të mirë të shkollave fillore, në kuadër të “Olimpiadës së diturisë” nga sivjet do të kthehen në gara për të gjithë nxënësit pavarësisht suksesit të tyre.
Përveç shtrirjes në masë, këto gara nuk do të organizohen vetëm për dy-tri lëndë, sikurse ka ndodhur rëndomë, por në tetë lëndë mësimore me nxënësit e klasave VI dhe VII si dhe në 10 lëndë për nxënësit e klasave VIII dhe IX.
Nuhi Dardhishta, udhëheqës i sektorit për arsim në Komunën e Çairit thotë për KOHA se përgatitjet për kuisin “Olimpiada e diturisë” kanë filluar dhe i njëjti do të mbahet me të gjithë nxënësit e ciklit të lartë të arsimit nëntëvjeçar. “Olimpiada do të jetë një lloj testi për të gjithë nxënësit e shkollave fillore në komunën tonë. Qëllimi është që të nxisim cilësinë e mësimit përmes shpirtit të garës. Në fazën e parë do të marrin pjesë të gjithë nxënësit, nga klasa VI deri IX dhe pas kësaj Olimpiada do të ngjitet në gara individuale dhe gara mes shkollave. Pra çdo shkollë do të ketë mundësi të nxjerr nxënësit më të mirë të gjeneratës për secilin vit shkollimi, për të gjitha lëndët e përcaktuara në garë. Pas kësaj do të organizohen gara mes më të mirëve dhe gara mes ekipeve të shkollave”, shpjegon Dardhishta. Normal, që këta gara nuk do të kenë karakter notimi, plotëson më tej ai.
“Rezultatet nuk do të ndikojnë në suksesin e nxënësve edhe pse në to do të marrin pjesë të gjithë”, thotë ai, ndërsa shpjegon se do të jenë pikërisht arsimtarët e lëndëve që do të përgatisin testet e garave. Testet do të jenë të standardizuara, pra të njëjtave pyetej do t’ju përgjigjen të gjithë nxënësit e shkollave. Në këtë pikë, Olimpiada e diturisë nuk dallon nga testimi ekstren i nxënësve i cili u largua nga sistemi arsimor pas kontestimeve të shumta dhe ankesave të shkollave. Por, dallon në mënyrën e organizmit dhe realizmit të tij. Testimi do të jetë manual dhe jo elektronik dhe ashtu sikurse do të përgatiten pyetjet nga arsimtarët e lëndës po ashtu edhe testet do të kontrollohen prej tyre për të ardhur deri te rezultatet e nxënësve.
Përgjegjësi për arsim i Komunës së Çairit, pohon se është diskutuar çështja e pjesëmarrjes dhe organizimit të garave me drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave fillore. Madje, thotë se janë ndarë edhe detyrat e secilit.
“Deri në datën 31 mars mësimdhënësit duhet të kenë përfunduar procesin e përpilimit të testeve për të gjitha lëndët në garë. Të njëjtat do të botohen në broshurë të veçantë dhe do tu shpërndahen shkollave. Olimpiada e diturisë, në pjesën e parë do të zhvillohet me të gjithë nxënësit e ciklit të lartë të shkollave fillore nga data 15 deri 30 prill dhe pas kësaj, në pjesën e dytë të muajit maj do të organizohen garat individuale mes nxënësve më të mirë dhe garat ekipore nxënësit do të garojnë për shkollën më të mirë”, shpjegon Dardhishta.
Nga nëntë shkolla fillore të cilat gravitojnë në Komunën e Çairit, tetë do të marrin pjesë në Olimpiadën e Diturisë. Përjashtim bën Shkolla fillore “Tefejuz”, pasi këtu nuk formohen paralele me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa VI e lartë. Olimpiada, pritet të shërbejë si një mekanizëm matës për cilësinë e arsimit në këto shkolla, apo një formë alternative për të kompensuar eksternen e munguar tanimë dy vite. Garat e nxënësve do të zhvillohen në pjesën dërmuese të lëndëve në përjashtim të edukatës fizike, arteve dhe lëndëve tjera me nga një orë mësimi në javë. (koha.mk)