Strategjia e Serbisë për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës, nuk paraqet kurrfarë prioriteti për autoritetet shqiptare në Prishtinë. Hë për hë vetëm dyfishimi i rrogave të kabinetit qeveritar mund të quhet strategji e këtyre autoriteteve! Serbinë e largoi NATO nga Kosova, kurse politikanët e papërgjegjshëm të Prishtinës po e kthejnë atë, duke e faktorizuar ekonomikisht në një treg të vogël ku produktet serbe llogariten si të ishin vendore
Nga Emin AZEMI
Mediat kosovare para dy viteve publikuan një dokument “Top Sekret” të Shërbimit Sekret të Serbisë (BIA) që kishte të bënte me strategjinë e Beogradit në fushën e ekonomisë, ku parashiheshin masa konkrete për depërtimin agresiv të Serbisë në tregun e Kosovës dhe paralizimin e ekonomisë së kësaj të fundit. Ky dokument sekret burim shqetësim kishte pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, prej kur kishte filluar rënia drastike e eksportit të produkteve serbe në Kosovë.
“Kompanitë lokale përgjithësisht kanë prodhuar produkte që mund të krahasohen me prodhimet tona, edhe sipas përmbajtjes edhe sipas dizajnit, kështu që gradualisht po e fuqizojnë praninë e tyre në dëm të prodhimeve serbe”, thuhej në dokumentin e BIA-s.
Ky fakt i ka mjaftuar që shërbimi sekret serb të identifikojë prodhuesit kosovarë që po ia merrnin tregun prodhuesve serbe dhe fill pas kësaj kishte filluar përgatitja e strategjisë së dëmtimit në forma të ndryshme të këtyre prodhuesve. Në këtë strategji ishin përpunuar të dhënat me detaje për të gjitha kompanitë kosovare, potenciali i tyre, pikat e dobëta, dhe aksionet/hartat të cilat operativët e BIA-s në terren kishin ndërmarrë ndaj atyre dhe prodhimet e tyre. Në listën e gjatë të BIA figuronin kompanitë më të fuqishme të Kosovës, të cilat duhej të zëvendësoheshin me kompanitë serbe, në mënyrë që ekonomia e këtij vendi të mos bankrotonte. Ndër to përmendej Fluidi (Gjilan) me prodhimin e “Jaffa-s”, cili duhej të zëvendësohej me kompaninë serbe “Nektar”, pastaj Pestova (Vushtrri) me prodhimin e “Vipa Çips”, që duhej të zëvendësohej me produktin serb “Çips”, Fruteks (Suharekë) me prodhimin e “Golden Eagle”, që duhej të zëvendësohej me produktin serb “Guarana”, M Silosi (Rahovec) me prodhimin e miellit “Finesa”, si zëvendësim për “Fidelinka”, Kllokoti (Kllokot) me prodhimin e “Ujit Kllokoti”, si zëvendësim për “Heba”, Liri (Prizren) me prodhimin e “Sempre” si zëvendësim për “Plazma Keks”, “Eurofood” (Prizren) me prodhimin e “Tomato Keçap” si zëvendësim për “Diamant Keçap”, qumështi Vita (Istog) me prodhimin e “Vita” si zëvendësim për “Moja Kravica”, “Gllareva” (Gllarevë) me prodhimin e “Spec i kuq Dukagjini”, si zëvendësim për “Aleva”, “ASK Foods” (Gjilan) me prodhimin e “ASK marmelata”, si zëvendësim për “Pionir Mermelada”, “Stone Castle” (Rahovec) me prodhimin e “Stone Castle”, si zëvendësim për “Navip”
Pas evidentimit të prodhimeve kosovare që do të zëvendësoheshin me ato serbe, BIA në dokumentin e saj rekomandonte që të vazhdohet me fazën e dytë të misionit, që nënkuptonte angazhimin e operativëve të BIA-s nga terreni, të cilët janë të pranishëm në institucione të ndryshme, agjenci, media e deri në parlament, ku do të përfshiheshin elemente që mund të kenë ndikim të madh në ndryshimin e situatës.
Kjo strategji serbe ka bërë që Kosova, ndonëse nuk njihet si e pavarur nga Serbia, megjithatë të mbetet ‘parajsë’ për ndërmarrjet e caktuara serbe, qoftë në zvogëlimin e obligimeve tatimore, qoftë në ikjen e tërësishme të tatimeve.
Një fenomen tjetër që bën pjesë gjithashtu në strategjinë e Serbisë për të dëmtuar ekonominë e Kosovës është çështja ndërmarrjeve, të cilat mundësinë e bartjes së selive në adresat në Kosovë po e keqpërdorin në mënyra të ndryshme të mashtrimeve. Për këtë qëllim, ndërmarrjet shpërngulen edhe në veri të Kosovës, që është i banuar me shumicë serbe dhe i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit, gjendet në një periudhë tranzicioni të integrimit në sistemin e Kosovës.
Strategjia e Serbisë për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës, nuk paraqet kurrfarë prioriteti për autoritetet shqiptare në Prishtinë. Hë për hë vetëm dyfishimi i rrogave të kabinetit qeveritar mund të quhet strategji e këtyre autoriteteve! Serbinë e largoi NATO nga Kosova, kurse politikanët e papërgjegjshëm të Prishtinës po e kthejnë atë, duke e faktorizuar ekonomikisht në një treg të vogël ku produktet serbe llogariten si të ishin vendore. (koha.mk)