Oklahoma në krizë, Spars “masakrojnë Klipers

Nëse vazhdon me këtë ritëm Oklahoma jo vetëm që nuk mund të rivalizojë kampionët në fuqi të Golden Stejt siç thoshin parashikimet e fillim sezonit por mund të rrezikojë të mos kualifikohet as në plej-of

7

Duhet të ishte sezoni i shpërthimit të madh të Oklahoma Siti Thunder por deri tani po rezulton një dështim i vërtetë. Karmelo Entoni dhe Pol Xhorxh dy afrimet e bujshme të kësaj vere nuk po përshtaten dot dhe me ta në skuadër nuk funksionon më as ylli i ekipit Rasell Uestbruk. Siti Thunder u mposhtën edhe nga Sakramento Kings në transfertën kaliforniane me shifrat 94-86 duke pësuar humbjen e tretë radhazi dhe të 6-n në këtë sezon në 10 takime të zhvilluara gjithsej. Nëse vazhdon me këtë ritëm Oklahoma jo vetëm që nuk mund të rivalizojë kampionët në fuqi të Golden Stejt siç thoshin parashikimet e fillim sezonit por mund të rrezikojë të mos kualifikohet as në plej-of. 20 pikë 6 asistime dhe 12 kërcime koleksionoi Uestbrook në sfidën ndaj Kings-ave, ndërsa Entoni e Xhorxh realizuan 28 pikë të dy së bashku të pamjaftueshme që Oklahoma të evitonte humbjen e radhës.

Në krizë tashmë është edhe Los Anxhelos Klipers, një nga skuadrat që i bëri një start fantastik këtij sezoni. Kalifornianët u dorëzuan edhe përballë klasit të basketbollistëve të San Antonio Spars duke u mposhtur në Teksas me shifrat e thella 120-107. Klipers pësuan humbjen e tretë radhazi ndërkohë që San Antonio në krahun tjetër regjistroi suksesin e tretë rresht. Aldridge dhe Grin ishin dy lojtarët më të mirë mbi parket për Spurs, pasi shënuan respektivisht 25 dhe 24 pikë.

U rikthye te fitorja Klivlend Kavaliers që po ecën me shumë ulje ngritje në këtë fillim sezoni. Në “Quicken Loans Arena” festa ishte e gjitha për Lebron Xhejms me shokë. Klivlend kaloi me rezultatin 124-119 Milvoki Baks duke bërë të pavlefshme paraqitjen spektakolare të grekut Gianis Antetokounmpo autori i 40 pikëve ndërsa e ndihmoi skuadrën nga Uinskonsin edhe me 9 kërcime e 3 asistime. Në krahun tjetër shkëlqyen Kevin Love dhe mbreti Xhejms. I pari realizoi 32 pikë por edhe plot 16 kërcime e 3 asistime ndërsa LeBron koleksionoi në total 30 pikë  9 asistime dhe 8 topa të kontrolluar poshtë tabelës.

Comments are closed.