OKB-së i bëhet thirrje për reagim kundër Iranit, pas lansimit të raketës

Shtetet e Bashkuara dhe tre nga aleatët e saj, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, i kanë bërë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara t’i dërgojnë “mesazh të qartë Iranit”, në përgjigje të lansimit të fundit të raketës me kapacitet për të bartur satelitë. Fuqitë evropiane e kanë cilësuar një hap të tillë si “efekt destabilizues në rajon”.

Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se lansimi “ prezanton një këcënim dhe hap provokativ të Iranit”. Në letrën e saj të shkruar në emër të SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit “ të diskutojë përgjigje të përshtatshme” kundër “ aksioneve provokative” të Teheranit.

Në letër thuhet se lansimi nuk ka qenë në përputhje me rezolutën e OKB-së, e cila ka për bazë marrëveshjen e nënshkuar të vitit 2015 me gjashtë fuqi botërore, duke përshirë edhe SHBA-në, sipas së cilës palët u pajtuan për limitimin e programeve bërthamore dhe atyre të raketave balistike, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Mirëpo ambasadori i ri rus në OKB, Vasily Nebenzya nuk është pajtuar me këto deklarata.

Ai u ka thënë gazetarëve më 2 gusht, se Rusia nuk e konsideron lansimin e fundit të raketës nga Irani si shkelje të marrëveshjes bërthamore, ka raportuar TASS. Më 27 korrik, Irani e ka lansuar raketën më të avancuar të tij, “Simorgh”, me kapacitet të bartjes së satelitëve. Letra nga Haley është nisur në po të njëjtën ditë kur presidenti, Donald Trump, e ka nënshkruar legjislacionin për sanksione kundër Iranit, Rusisë dhe Koresë Veriore. Zëvendësministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i ka cilësuar sanksionet si përpjekje të SHBA-së për të sabotuar marrëveshjen bërthamore. “Nuk do të kundërpërgjigjemi, mirëpo do të refuzojmë të bëhemi pjesë e kësaj loje”, ka thënë Araqchi.