OKB: Punëtorët migrantë në Liban kanë nevojë për fonde ndërkombëtare

10

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) ka bërë thirrje për të mbledhur 10.3 milionë dollarë për të ndihmuar mbi 43 mijë punëtorë migrantë të prekur nga shpërthimi i javës së kaluar në portin e Bejrutit në Liban, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjensia e migracionit e Kombeve të Bashkuara (OKB) vlerëson se 8 për qind nga 300 mijë njerëz të prekur në Bejrutin e Madh janë punëtorë migrantë, kryesisht nga Etiopia, Bangladeshi dhe Filipinet.

Në një konferencë për media në Gjenevë, zëdhënësja e IOM-it, Angela Wells, njoftoi se të paktën 150 punëtorë migrantë janë plagosur dhe 15 të tjerë vdiqën si pasojë e shpërthimit.

“Përdersia komuniteti ndërkombëtar nxit përpjekjet për t’iu përgjigjur nevojave të qindra mijëra njerëzve të prekur nga kjo tragjedi, nuk duhet të harrojmë popullsinë e migrantëve dhe refugjatëve që janë në rrezik që të mos anashkalohen”, tha Wells.

Wells tha se shpërthimi shkatërroi zonat e pafavorshme ekonomike në Bejrut dhe në Malin e Libanit, ku strehohet një numër i madh i punëtorëve migrantë dhe refugjatëve sirianë.

IOM tha se shumë nga këta njerëz tashmë po lëkunden nga efektet e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe rënies eknomike në Liban, e cila ka prekur në mënyrë disproporcionale migrantët dhe refugjatët.

Një vlerësim i IOM-it i kryer midis muajit maj dhe korrik klasifikoi se 40 për qind e punëtorëve migrantë të anketuar përballen me pasiguri ushqimore, ndërsa 74 për qind e tyre janë pa burim të të ardhurave.

Wells tha se fondet do t’i mundësojnë IOM-it t’u përgjigjet nevojave të menjëhershme të 25 mijë migrantëve të prekur, 16.500 libanezëve dhe 2 mijë refugjatëve sirianë për pjesën e mbetur të vitit 2020.

Këto nevoja përfshijnë kujdesin shëndetësor, shpërndarjen e ushqimit në lagjet e prekura, mundësitë e punësimit afatshkurtër, strehimin, shëndetin mendor dhe mbështetjen psiko-sociale.

Comments are closed.