Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për torturë, Nils Melzer, tha se bashkëthemeluesi i ueb-faqes Wikileaks, Julian Assange, ka pësuar “torturë psikologjike” dhe se ai nuk është i aftë për t’u gjykuar.
Melzer tha se ai dhe dy ekspertë mjekësorë e vizituan Assangen në një burg në Britani, më 9 maj.
“Assange është ekspozuar qëllimisht, për një periudhë prej disa vitesh, ndaj formave të ashpra të trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”, tha Melzer.
Melzer po ashtu tha se ka pasur një fushatë të vazhdueshme të frikësimit dhe shpifjes publike kundër Assanges, “jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Suedi dhe së voni në Ekuador”.
Julian Assange, 47 vjeçar, u arrestua më 11 prill pasi kaloi shtatë vjet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Shtetet e Bashkuara e kërkojnë ekstradimin e tij, nën akuzat se ai ka publikuar informacione të klasifikuara.