Vazja saudite, Rahaf al-Qunun, është pranuar si refugjate nga Kombet e Bashkuara, ndërsa qeveria australiane do ta shqyrtojë kërkesën e saj për azil. Ajo ishte mbyllur në një dhomë hoteli në Bangkok të Tajlandës për t’iu shmangur kthimit të detyrueshëm te familja e saj në Arabi Saudite.
Vajza thoshte se familja e saj do ta vrasë për shkak të refuzimit të Islamit. Komisioni i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët ka vlerësuar se ajo i plotëson kushtet për t’iu dhënë statusi i refugjates dhe ka kërkuar nga Australia që ta shqyrtojë kërkesën e saj. Departamenti australian për çështje të brendshme ka thënë se do ta trajtojë rastin njësoj si të gjitha rastet që i pranon nga UNHCR-ja.
Një zëdhënës i UNHCR-së ka deklaruar se asaj do t’i ofrohet përkujdesi dhe mbikëqyrja deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate. Gjatë kësaj kohe, 18-vjeçarja do të qëndrojë në një vend të sigurt në Bangkok. Në anën tjetër, drejtoresha e grupit “Human Rights Watch” për Australi, Elaine Pearson, ka thënë se qeveria australiane duhet të veprojë shpejt dhe ta sjellë vajzën në një vend të sigurt në Australi.
Autoritetet australiane kishin premtuar se do t’ia japin vizën vajzës saudite nëse ajo vlerësohet si refugjate nga Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë, shoqja e saj ka njoftuar se Australia ia kishte refuzuar vizën turistike me të cilën ajo po udhëtonte. Ndërkaq, një grup ka hapur një fondacion në internet për të mbledhur të holla për al-Qununin, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.