Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka cilësuar si shqetësues arrestimin e 16-vjeçares palestineze Ahed Tamimi nga ana e Izraelit dhe gjykimin e saj në Gjykatën Ushtarake. “Duhet të kuptohet se është e nevojshme të respektohen të drejtat e njeriut. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga arrestimi i fëmijëve dhe ne i kemi ndarë këto shqetësime”, tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, në brifingun ditor për shtyp. Ndryshe më 19 dhjetor, forcat izraelite arrestuan Ahed Tamimin në një bastisje gjatë natës në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëndimor. Nëna e saj u arrestua menjëherë pas saj. Një ditë më vonë, forcat izraelite arrestuan edhe kushërirën e saj. Në vitin 2012, Bashkia Başakşehir e Stambollit i ndau asaj çmimin për kurajo Hanzala për kundërshtimin e ushtarëve izraelitë teksa këta po arrestonin vëllain e saj. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në atë kohë kryeministër, u takua personalisht me vajzën palestineze për të shprehur admirimin e tij për trimërinë e saj. Babai, nëna dhe vëllezërit e Ahedit vazhdimisht janë arrestuar nga autoritetet izraelite për kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj okupimit të tokave palestineze nga Izraeli. Në burgjet izraelite ndodhen afër shtatë mijë palestinezë, prej të cilëve rreth 300 janë fëmijë.