Këshilltari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për parandalimin e gjenocidit, Adama Dieng tha se “Komuniteti ndërkombëtar e ka futur kokën në rërë” duke qëndruar në heshtje, pavarësisht paralajmërimeve të shumta se muslimanët e Arakanit do të ekspozoheshin ndaj “krimeve brutale” në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA). Në një deklaratë me shkrim lidhur me vizitën që ka zhvilluar më 7-13 mars në kampet në Bangladesh, Dieng tha se muslimanët e Arakanit janë vrarë, torturuar, përdhunuar, janë djegur të gjallë dhe janë poshtëruar. “Duhet të jemi të qartë, në Mianmar janë kryer krime ndërkombëtare”, tha ai.
“Komuniteti ndërkombëtar ka mbyllur veshët dhe ka futur kokën në rërë pavarësisht të gjitha këtyre paralajmërimeve. Kjo i ka kushtuar me jetët, krenarinë dhe shtëpitë e shkatërruara komunitetit musliman të Arakanit”, thekson Dieng duke bërë të ditur se janë bërë shumë paralajmërime se në Arakan do të kryhen “krime brutale”. Ai bëri të ditur se sipas të gjitha informacioneve që ka mbledhur, qëllimi i fajtorëve është shkatërrimi i plotë i pasurisë së muslimanëve të Arakanit në mënyrë që qëllimi i fajtorëve të përfshihet në krimet e gjenocidit. “Duhet të kalohet në mënyrë emergjente në veprim për të zgjidhur këtë problem pa u vonuar pavarsëisht nëse është kryer krim kundër njerëzimit apo është kryer gjenocid. Kjo për ne është një borxh që kemi për popullatën e muslimanëve të Arakanit”, tha Dieng.
Presidenti i Misionit të Kërkimit të Pavarur Ndërkombëtar në Mianmar, Marzuki Darusman tha se sipas pamjeve statelitore janë djegur pjesërisht ose plotësisht të paktën 319 fshatra në “operacionin e spastrimit” i nisur më 25 gusht në Arakan të Miamnarit kundër muslimanëve Rohingya. Mendohet se në vitet 1970 në Arakan kanë jetuar afro 2 milionë muslimanë ndërkaq si pasojë e ikjes nga sulmet sistematike, ky numër është zvogëluar në më pak se 300 mijë.
Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, që nga 25 gushti 2017, afro 700 mijë muslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh pasi janë detyruar të largohen nga dhuna në Arakan. OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e quajnë “spastrim etnik” ose “gjenocid” dhunën kundër muslimanëve të Arakanit.