Ohri kundër Strugës për deponinë

Patriot LUMANI

Strugë, 6 maj – Kryetari i Komunës së Ohrit, Nikolla Bakraçeski, në lidhje me propozimin e ardhur nga autoritetet e Strugës për hedhjen e mbeturinave në deponinë e Ohrit, ka thënë se për këtë hap duhet një ekspertizë më e gjatë në lidhje me menaxhimin dhe mbrojtjen e natyrës. Ai këtë deklaratë e dha pas takimit që realizoi me autoritetet nga Struga, shkruan gazeta KOHA. “Nuk është koha për vendime të shpejta, deponia e Strugës është problem për struganët, gjithashtu edhe deponia Maucker përbën problem për qytetarët e Ohrit. Problemet me të cilat ndeshet Ohri nuk janë më të vogla se ato të Strugës. Deri tani kemi kontakte me dikasterin e ekologjisë për dislokimin e deponisë Maucker. Shpresojë që në të ardhmen të dislokohet kjo deponi”, theksoi ai.
Kryetari i Ohrit shton se Komuna e Strugës duhet të mendojë për lokacione të tjera pas idesë që deponia e Strugës të dislokohet në Bukovo, pasi duhet parë dhe studiuar mirë kapacitetet dhe qëndrueshmëria e këtij vendimi. ”Nuk do të shpejtohemi me vendim për këtë çështje”, ka thënë ai. Komuna e Strugës është përqendruar në gjetjen e një zgjidhje afatshkurtre për dislokimin e deponisë së qytetit nga lokacioni ekzistues dhe konservimin i saj pas zjarrit që përfshiu këtë të fundit, gjë që solli ndotje në masë të ajrit dhe një reagim të fortë të qytetarëve. Për këtë çështje kryetari Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, për gazetën KOHA deklaroi se një nga opsionet afatshkurtra është propozimi që Komuna e Strugës t’i ofrojë asaj të Ohrit që mbetjet e Strugës të hidhen në deponinë e Ohrit, ndërkohë mbetjet e inerteve të Ohrit të hidhen në deponinë e licencuar për hedhjen e inerteve që ndodhet në Belicë të Poshtme në Strugë. Ky propozim, saktësoi atëherë Zabzuni, do t’i ofrohet Komunës së Ohrit dhe në rast se i njëjti pranohet brenda një harku kohor të shkurtër, deponia ekzistuese të mbyllet dhe e njëjta të konservohet. (koha.mk)