Ohër, takohen ministrat e brendshëm të Maqedonisë dhe Malit të Zi

Ohër, 20 korrik – Marrëdhëniet miqësore dhe relacionet e vendosura mes Maqedonisë dhe Malit të Zi duhet të shfrytëzohen në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, veçanërisht në ballafaqimin me sfidat e sigurisë, me të cilat përballen si dy vendet, rajoni, por edhe kundër kërcënimeve globale.

Atë e theksuan ministrat e Punëve të Brendshme të të dy shteteve Oliver Spasovski dhe Mevludin Nuhoxhiq pas takimit të sotëm të punës në Ohër.

Si sfida kyçe, dy ministrat i potencuan luftën kundër krimit të organizuar, emigracionin, tregtinë me njerëz. Me këtë rast, u sqarua se në takim janë prezantuar të gjitha aktivitetet që ministritë e të dy vendeve i zbatojnë në pjesën e reformave të shërbimeve të sigurisë, përforcimin e kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskim të pronës, për luftë kundër korrupsionit, kundër të gjitha formave kriminele…

“Për ne jashtëzakonisht e rëndësishme ishte të dakordojmë se si t’i shfrytëzojmë përvojat pozitive të Malit të Zi në periudhën e negociatave inkuadruese me NATO-n dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Veçanërisht biseduam për kapitullin  24 – Drejtësi, liri dhe siguri, çështje që së pari do të hapet në agjendën e negociatave inkuadruese me BE-në dhe këtu me rëndësi të posaçme për ne është oferta e palës malazeze që të ndihmojnë së bashku t’i kapërcejmë të gjitha hapat në proces”, tha ministri Spasovski.

Ministri malazez i Punëve të Brendshme Nuhoxhiq nga ana e tij tha se  bashkëpunimi i deritanishëm dhe marrëdhëniet vetëm e konfirmojnë  sjelljen miqësore mes dy shteteve.

“Kjo sjellje miqësore jep mundësi për përparim të bashkëpunimit të ndërsjellë…Me kërcënimet e sigurisë mundemi në mënyrë efikase të ballafaqohemi  vetëm përmes bashkëpunimit cilësor në nivel të përditshëm, si në nivel bilateral, ashtu edhe në atë rajonal, por edhe më gjerë në nivel global. Besoj se edhe ky takim i sotëm do të japë impuls shtesë në atë drejtim”, tha ai.

Ministri malazez i Punëve të Brendshme,  vendi i të cilit në suaza të integrimeve evropiane ka hapur 31 kapituj dhe përkohësisht ka mbyllur tre nga negociatat për anëtarësim në BE, e shfrytëzuan gatishmërinë e autoriteteve në Podgoricë përmes ndarjes së përvojave të tyre t’i ndihmojë Maqedonisë në rrugën e saj eurointegruese.

Sa i përket ftesës për fillim të negociatave për anëtarësim në NATO, Nuhoxhiq e shfrytëzoi këtë rast të tregojë në përfitimet që i sjell anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike.

“Integrimi i vendeve të Ballkanit në NATO është kontribut drejt Ballkanit të sigurt, drejt sigurisë rajonale, që është e rëndësishme njëjtë sikur edhe siguria interne e secilit vend individualisht. Ne si anëtarja e 29-të e Aleancës sot kemi më shumë investime se paraprakisht, që tregon në faktin se siguria është edhe resurs i rëndësishëm ekonomik”, tha Nuhoxhiq duke theksuar se përveç investimeve, rritje shënon edhe numri i turistëve të huaj që e vizitojnë Malin e Zi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi ende vlerëson se rruga e Maqedonisë drejt anëtarësimit  në NATO është zgjidhje drejt të ardhmes më të mirë, zhvillimit, përparimit dhe sigurisë më të madhe.

“Besoj se udhëheqësia juaj shtetërore do të arrijë t’i hap të gjitha portat në atë rrugë, të cilat janë vendime të rënda në kuptimin politik dhe atë rrugë do ta kalojnë së bashku me qytetarët të cilët dinë ta ndajnë të mirën nga e keqja, që është shumë e rëndësishme, e vërteta nga gënjeshtra dhe e përditshmja politike nga historike.  Ne politikanët kemi detyrë t’u ndihmojmë qytetarëve ta bëjnë zgjedhjen e vërtetë”, theksoi Nuhoxhiq.

Ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe Malit të Zi në suaza të takimit të punës në Ohër nënshkruan Memorandum bashkëpunimi të komisioneve kombëtare dhe trupave për luftë kundër emigrimit ilegal dhe tregtisë me njerëz.