Në Tetovë, vendi i stacionit të ngarkim-shkarkimit është ndryshuar disa herë. Fillimisht ishte vendosur afër stacionit hekurudhor, pastaj në hyrje të qytetit, rrugës për në Trebosh dhe së fundi rrugës për në fshatin Falisht. Tani, kompania shqiptaro-holandeze “Integrity Technology Sistems” ka shpalosur projektin për zgjidhjen përfundimtare të problemit me deponinë në Pollog
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shkurt – Komunat nga rajoni i Pollogut vazhdojnë të mos gjejnë zgjidhje për problemin me mbeturinat. Përderisa në shumë vende të zhvilluara mbeturinat reciklohen dhe përdoren si energji elektrike, në Pollog mbeturinat hidhen nëpër deponi ku edhe nuk ka qendra selektimi. Po ashtu, edhe projekti për rregullimin e deponisë Rusino ende nuk fillon të realizohet, ndërsa janë kompani private të cilët kanë marrë iniciativë që të gjejnë zgjidhje për këtë problem. Bëhet fjalë për kompani shqiptaro-holandeze “Integrity Technology Sistems”, e cila ka shpalosur interesimin e saj për ndërtimin e një gjeneratori në rajonin e Pollogut për përpunimin e mbeturinave. Krahas përpunimit, parashihet edhe djegia dhe prodhimi i energjisë elektrike.
Sejfulla Osmani, përfaqësues i “Integrity Technology Sistems” thotë se projektin në fjalë e kanë paraqitur edhe para kryetarëve të komunave. “Për sa i përket zgjedhjes së problemit të mbetjeve urbane, kemi kontaktuar edhe me vetëqeverisjen lokale dhe kryetarët e komunave duke iu ofruar një zgjedhje konkrete. Ne kemi një projekt nga ITS, që është një kompani shqiptaro-holandeze, e cila ka bërë zgjidhjen e problemit të mbeturinave urbane në Komunën e Elbasanit. Është bërë gjeneratori i përpunimit të mbeturinave, djegia dhe më pas prodhohet energji elektrike. Kjo korporatë ka koncesionin ose partneritetin publiko-privat që është një formë tjetër e bashkëpunimit në mes pushtetit dhe korporatave që merren me trajtimin e mbetjeve dhe këtë formë e kemi propozuar edhe për zgjedhjen e përgjithshme për të gjithë mbetjet në Republikën e Maqedonisë së veriut”, tha Osmani.
Projekt i njëjtë është ndërtuar në Elbasan të Shqipërisë, duke e shndërruar qytetin e Elbasanit nga qyteti më i ndotur në Shqipëri – në qytetin më të pastër. Ndërtimi i këtij gjeneratori kërkon vetëm 18 muaj punë. Njohësit e këtyre rrethanave thonë se këto forma të trajtimit të mbeturinave janë zgjidhja më mirë e mundshme. “Bëhet fjalë për një projekt të njëjtë me atë të qendrave evropiane të riciklimit, të cilat janë bërë shumë të njohura këtu tek ne. Projektet e këtilla do ti zgjidhin problemet me mbeturinat në të gjithë Evropën, atje është e rregulluar me direktiva evropiane. Kjo është ajo që na duhet kjo dhe është ajo çka i mungon këtij shteti. Me këtë projekt, nuk do të shohim mbeturinave çdo ditë, në çdo vend mbeturina që nuk përdoret si duhet dhe neve na shkakton dëm dhe shpesh digjen dhe na shqetësojnë. Duhet vetëm vullnet dhe politikan më serioz që më mirë ta perceptojnë punën”, tha Toni Nikushevski, ekspert i ekologjisë.
Komunat e rajonit të Pollogut në vitin 2013 vendosën që me mbeturinat të mos menaxhojë kompani nga jashtë dhe anuluan tenderin. Krerët e komunave në atë kohë vendosën që vet të rregullojnë këtë problem edhe atë duke u munduar që të gjejnë zgjidhje afatgjate në deponinë Rusino në Gostivar. Pas shtatë vitesh, ende nuk ka asnjë hap konkret. Gjithë këto vite, mbeturinat e Tetovës grumbullohen nëpër stacione për ngarkim-shkarkim dhe më pas dërgohen në deponinë Drislla në Shkup. Në Tetovë, vendi i stacionit të ngarkim-shkarkimit është ndryshuar disa herë, fillimisht ishte vendosur afër stacionit hekurudhor, pastaj në hyrje të qytetit, rrugës për në Trebosh dhe së fundi rrugës për në fshatin Falisht. (koha.mk)