Krahas shitësve, problem në vete janë edhe bujqit të cilët duhet që të shesin prodhimet e tyre në këtë treg
Urim HASIPI
Tetovë, 26 nëntor – Tregu i gjelbërt në Tetovë vazhdon të ofrojë shërbime edhe në këtë kohë pandemie. Tezgat janë të stërmbushura me pemë dhe perime, por nuk mungojnë edhe gjërat tjera joushqimore në tezgat ku shitet edhe veshmbathje. Përskaj ofertës së begatshme në këtë kohë, ku dominojnë edhe prodhimet ushqimore nga prodhues vendorë, megjithatë blerës ka gjithnjë e më pak. Tregtarët ankohen se çmimet janë të njëjta në krahasim me vitet e kaluara, por mungojnë blerësit. “Tash në këtë periudhë është krizë, nuk kemi se çka të bëjmë. Nuk ka edhe njerëz që vijnë për të blerë, as nuk vijnë dhe të pyesin për çmimet. Pandemia i ka mbyllur qytetarët, nuk dalin as në qytet e lëre më në treg”, thotë një shitës në tregun e gjelbërt në Tetovë. Sipas tyre, dukshëm ka rënë edhe shitja në bazë ditore. “Njerëzit nuk kanë para, ka rënë dukshëm shitja në krahasim me vitet e kaluara kur kishim më shumë blerës. Në këtë kohë janë edhe përgatitjet për dimër, por definitivisht nuk është si viteve të kaluara”, pohojnë tregtarët në Tregun e Gjelbërt në Tetovë.
Edhe pse ka gjithnjë e më pak blerës, megjithatë tregtarët qëndrojnë dhe presin që të vijnë ditë më të mira. “Ndjehet shumë koha me pandeminë, njerëz nuk ka, por shpresojmë se do të kemi përmirësim të situatës që qytetarët të dalin dhe të kemi më shumë punë, sepse neve si tregtarë shumica vetëm këtë punë e kemi dhe nëse edhe këtu ndalet puna, atëherë do të mbesin pa asnjë të ardhur”, thotë Bajrami, një shitës tjetër në këtë treg. Krahas shitësve, problem në vete janë edhe bujqit të cilët duhet që të shesin prodhimet e tyre në këtë treg. Ata ankohen se gjatë tërë vitit janë munduar që të kujdesen për prodhimet e tyre që në vjeshtë t`i shesin në treg, por pandemia ka bërë që edhe bujqit që kanë shesin prodhimet e tyre të jenë pa punë. Sipas tyre, të dalurat financiare janë të mëdha për bujqit gjatë mbjelljes, kurse në fund – shumë pak fitojnë. Janë me qindra tregtarë në tregun e gjelbërt të Tetovës, të cilët punojnë edhe kur temperaturat janë të ulëta dhe të larta, duke pritur blerës që të sigurojnë mbijetesë për familjet e tyre.
Tezgat janë përplot me produkte ushqimore të zakonshme për këtë periudhë. Por ajo që bie në sy, është se pjesa dërmuese e vizitorëve, mbrohen nga virusi korona duke shmangur frekuentimin në treg ku ka më shumë qytetarë edhe pse shumica e tregtarëve kanë maska dhe dezinfektues. Në ndërkohë, ende hapësira e këtij tregu vazhdon të jetë e hapur dhe shitësit do të duhet që të qëndrojnë në temperatura të ulëta për të pritur blerësit. (koha.mk)