Sigurimi i një vendi të punës dhe pagat e mira që mesatarisht lëvizin nga 1000 euro janë arsye shtesë e interesimit të madh në këtë fushë
Remzije BILALLI
Shkup, 28 shtator – Në bazë të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në listën për paga më të larta është radhitur profesioni “Programimi kompjuterik” ku paga mesatare është 60.112. Kjo është rritje e madhe në krahasim me pagën mesatare në vend, e cila është 24.072 denarë, sidomos nëse krahasohet me vendet tjera më të zhvilluara, shkruan gazeta KOHA. Paga mesatare e programuesve kompjuterikë në Maqedoni është më e lartë se niveli i lartpërmendur, ndërsa në listën e Agjencisë së punësimit, ndër profesionet më të kërkuara nga sektori i biznesit privat.
Numri i të interesuarve nga kjo fushë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike është më i madh krahas viteve të kaluara, pavarësisht trendeve negative të cilat ndodhin në shoqërinë tonë siç janë migracioni, rrethanat politik dhe zhvillimi i dobët ekonomik. Mirëpo rritja e interesimit në këtë fushë, jo vetëm në Maqedoni, është vërejtur edhe në nivel global, sepse ky shekull njihet si shekull i teknologjisë.
Profesori universitar Halil Snopçe për gazetën KOHA theksoi se jemi në kohën e digjitalizimit dhe programuesit janë të kudo ndodhur në të gjitha poret e shoqërisë, përfshi edhe institucionet dhe bizneset. Snopçe radhiti disa arsye se pse studentët drejtohen në drejtimet për shkenca kompjuterike, duke vendosur theksin tek favoret për punësim.
“Ky profesion garanton perspektivë, të ardhura të mira, siguron atraktivitet, prandaj të rinjtë zgjedhin këtë profesion. Favori qëndron edhe tek punësimi jashtë vendit, ndërsa kompanitë e ndryshme jashtë vendit kërkojnë shërbime nga ne sepse fuqia e punëtorëve është më e lirë këtu”, nënvizoi Snopçe. Sipas tij, ky profesion ka nevojë për talent sepse gërsheton disa aftësi si kreativitetin, gjuhët, shkathtësinë dhe shpejtësinë e të qenit në hap me atë që na rrethon. Po ashtu ky profesion jep mundësi për të punuar individualisht, mjafton që personi të posedoj vetëm një kompjuter. Për studentët përveç zhvillimit masovik të teknologjisë dhe instalimit të saj në përditshmërinë tonë, faktor kryesor në një shtet drejt zhvillimit ekonomik luan edhe paga.
“Shumica e të rinjve sipas meje frymëzohen nga rrogat, pasi gjendja ekonomike është e rënduar për popullin dhe nuk mendoj që të gjithë studentët që zgjedhin këtë drejtim e kanë edhe e duan atë, por këtu ndikon edhe kërkesa në tregun e punës, e cila rritet çdo ditë e më shumë”, thotë studenti Veton Nesimi.
Në bazë të statistikave botërore tregu ka më tepër nevojë për ekspertë të IT-së se sa në faktë është numri i të diplomuarve në këtë fushë. Ky profesion edhe në vendet tjera ka të ardhura më të mëdha në krahasim me pagën minimale. Në SHBA, bie fjala, një programues ka pagë mesatare vjetore 69.083 dollarë, në Britanin e Madhe – 30.625 funta, në Rusi – 961.173 rubla, ndërka në Turqi – 35.662 dollarë. (koha.mk)