Të zbatohet regjistrimi dhe në të të ketë grafë për kombësinë, gjegjësisht përkatësinë etnike, të zbatohen reforma efikase në administratën publike, të mos sillen ligje pa konsultim me biznesin dhe të sigurohen më shumë para në zonën në Vizbeg dhe jo vetëm një milion euro siç është paraparë me Buxhetin për vitin 2019, janë vetëm disa prej kërkesave të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) që u thanë sot në konferencë shtypi.
Siç theksoi kryetari i Odës, Nebi Hoxha, prej gjithsej 39 kërkesave konkrete të cilat i kanë dorëzuar kompanitë-anëtare Qeveria u është përgjigjur vetëm dy kërkesave.
“Zëvendëskryeministri Angjushev premtoi se deri më 31 dhjetor do t’u përgjigjet edhe 34 prej kërkesave tona në mesin e së cilave është edhe dëmshpërblimi i kompanive për përmbytjet në Hasanbeg”, tha Hoxha.
OEMVP edhe një herë apelon për nevojën e zhvillimit rajonal të barabartë. Sipas Odës, disperzimi i pushtetit qendror është koncept krejtësisht i gabuar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me kërkesën në regjistrim të futet edhe kategoria “kombësia”, Hoxha sqaroi se është mirë kompanitë ta dinë edhe përbërjen etnike të popullatës (konsumatorëve) në qytete, fshatra dhe në pajtim me këtë ta përshtasin biznesin e tyre.
“Në Shipkovicë, për shembull nuk ka popullatë ortodokse dhe për këtë është e palogjikshme atje të shitet mishi i derrit”, shtoi drejtori ekzekutiv i Odës, Drilon Iseni.
Lidhur me kushtet për udhëheqjen e biznesit, anketa e fundit e OEMVP-së tregon se 71 për qind e kompanive mjedisin afarist e vlerësojnë si të barabartë apo më të keq se atë në vendet e rajonit.
Vlerësimi i Odës është se rritja ekonomike prej 2,8 për qind është e mundshme vetëm nëse realizohen mbi 85 për qind e investimeve.