Prishtinë, 9 dhjetor – Oda ekonomike amerikane në Kosovë (OEAK) shprehi shqetësim për shkak të rënies së transparencës dhe angazhimit të ulët të Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore në luftën kundër korrupsionit, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në kumtesën e OEAK-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit thuhet se “edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme për luftë më efikase kundër kësaj dukurie, e cila pamundëson zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, retorika e angazhimeve dominon ndaj veprimeve të pakta në këtë drejtim”.
“Arritja e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve përgjegjëse për heqjen e një njolle që vazhdon të pasqyrojë vendin në raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare e vendore. Raportimet e tilla padyshim se zvogëlojnë mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndërsa viti 2018 sjell shifra shqetësuese në këtë drejtim”, thuhet në kumtesë.
Sipas hulumtimeve të fundit të OEAK-së, mbi 75% e bizneseve besojnë se korrupsioni në Kosovë është sistemor, derisa faktorët që mundësojnë korrupsionin janë sundimi i dobët i ligjit, mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe korniza e mangët ligjore, derisa mbi 50% e bizneseve të anketuara besojnë se niveli korrupsionit ka mbetur i njëjtë krahasuar me pesë vite më parë.