O’Connell: Turpërohem sa pak zyrtarë të lartë po dënohen për korrupsion

I turpëruar është ndier ambasadori i Britanisë se Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, pas prezantimit të të dhënave të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi në lidhje me integritetin e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.
Përderisa drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka prezantuar mënyrën se si janë proceduar rastet e korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të profilit të lartë, nga këto të dhëna del që vetëm ish-kryetari i Komunës së Kllokotit është dënuar me aktgjykim të formës së prerë, dhe atë me kusht”.

O’Connell, pas këtij prezantimi, ka thënë se “po më vjen marre për këto të dhëna duke pasur parasysh këmbënguljen e Qeverisë britanike për sistemin e drejtësisë”.

Për ambasadorin britanik ka qenë veçanërisht dëshpëruese se si zyrtarët e lartë nisin të hetohen vetëm kur humbin pozitat.

“I pashë të dhënat e monitorimit që pjesa më e madhe e hetimeve nisin kur zyrtarët humbin pozitat. A mos prokurorët po nisin hetime për qëllime politike? A mos pushteti po shërben si mburojë nga gjyqësori? Kur do të vijë fundi i kulturës së pandeshkueshmërisë”, ka theksuar diplomati britanik.

Ambasadori britanik u ka bërë thirrje prokurorëve e gjyqtarëve që janë të ndikuar nga politika, të lëshojnë rrugë.

“Këtij sistemi i duhen heronj. Kush nuk mund të ndjekë këta zyrtarë, është koha të lëshojë rrugë”, ka thënë O’Connell.