Gjenevë, 15 tetor – Zyra rajonale e organizatës botërore të shëndetësisë për Evropën vlerësoi sot se situata në kontinent në lidhje me pandeminë e koronavirusit është shkak për “shqetësim të madh”.
Për shkak të numrit në rritje të rasteve të përditshme Kovid-19 të paraqitura në të gjithë Evropën, vendet duke përfshirë Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Spanjën kanë filluar të vendosin masa shtesë për të ngadalësuar valën e dytë të pandemisë dhe të përpiqen të zvogëlojnë ndikimin e saj.
Njëzet e shtatë shtete anëtare të BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar regjistrojnë mesatarisht 78,000 raste në ditë ndërmjet 5 dhe 12 tetorit, ose 152 raste për milionë banorë. Shtetet e Bashkuara regjistruan mesatare prej 49,000 çdo ditë për të njëjtën periudhë, rreth 150 për milionë banorë, raportoi sot Uollstrit Xhërnal.
Kjo është hera e parë që Evropa ka kapërcyer Shtetet e Bashkuara që nga kulmi i virusit në pranverë, kur sëmundja u përhap kryesisht e pazbuluar për shkak të kapacitetit të kufizuar të vendeve për ta testuar. Evropa tani ka arritur masë kritike të rasteve të reja të ngjashme me ato me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në fund të qershorit kur numri i njerëzve të infektuar u rrit nga Florida në Kaliforni , thekon gazeta.