Pothuajse 124 milionë fëmijë në botë janë me peshë ekstrem të lartë për moshën që kanë, alarmon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në raport theksohet se numri i fëmijëve obezë është rritur dhjetë herë prej vitit 1975 deri në vitin 2016. Përveç 124 milionë fëmijëve të cilët janë obezë, pothuajse 123 milionë të tjerë janë me mbipeshë, theksojnë autorët.
“Lajm i keq është se përhapja e mbipeshës në mesin e të rriturve (prej mbi 20 vjeç) si dhe fëmijëve dhe të rinjve (5-19 vjeç) është duke u rritur në rajone të tjera në botë”, theksohet në raport. Numri i vajzave të cilat janë obeze është rritur prej pesë milion në vitin 1975 deri në 50 milionë në vitin 2016. Djemtë me peshë mbi peshën adekuate për moshën që kanë gjithashtu është rritur – prej 6 milionë në 74 milionë.
Në vitin 2016 më i madh është niveli i mbipeshës së regjistruar në Polinezi dhe Mikronezi (25,4 për qind e vajzave dhe 22,4 për qind e meshkujve). Pasojnë shtete me të ardhura të larta në kokë banori duke e përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re, Irlandën dhe Britaninë e Madhe. Ekspertët theksojnë se në vitin 2022 numri i fëmijëve dhe të rinjve me mbipeshë do të jetë më i madh se numri i fëmijëve të cilët vuajnë nga kequshqyerja.