Moskë, 27 tetor – Fondi rus për investime të drejtpërdrejta (RDIF) ka paraqitur kërkesë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë për regjistrimin e përshpejtuar të vaksinës kundër koronavirusit “Sputnik V”, njoftoi sot RDIF.
“Ne kemi parashtruar kërkesë për përdorim urgjent dhe parakualifikim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila do të lejojë që ‘Sputnik V’ të përfshihet në listën e produkteve mjekësore, që plotësojnë standardet kryesore për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin”, deklaroi drejtori Ekzekutiv i RDIF, Kiril Dmitriev.
Ai shprehu falënderim deri tek OBSH-ja për bashkëpunimin aktiv dhe tha se ishte “duke pritur me padurim përfundimin me sukses të procesit të parakualifikimit në të gjitha fazat kryesore”.
Rusia u bë një nga vendet e para që iu drejtua OBSH-së për parakualifikimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit të ri.