Gjenevë, 5 mars – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka braktisur planet për të publikuar rezultatet paraprake të hetimit mbi origjinën e koronavirusit në Kinë dhe paralajmëroi se do të publikojë raportin e plotë në mes të muajit mars.
“Në vend të raportit paraprak, raporti i plotë do të paraqitet javën e ardhshme, më 14 mars”, deklaroi sot Piter Ben Embarek, udhëheqësi i ekipit të ekspertëve në Gjenevë.
Embarek udhëhoqi një ekip prej dhjeta shkencëtarëve të zgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të vizituar spitalet dhe institutet kërkimore në Vuhan, në Kinën qendrore, ku koronavirusi i ri u identifikua për herë të parë, për të zbuluar origjinën e Kovid-19.
OBSH-ja sot nuk deklaroi arsyet për ndryshimin e planit për publikimin e rezultateve.
Rezultatet e paraqitura në konferencën e parë për shtyp pas udhëtimit në Kinë ishin të paqarta. Embarek, me sa duket, përjashtoi mundësinë që virusi “të dilte” nga një laborator në Vuhan, por paraqiti tezën që virusi iu transmetua njerëzve nga lakuriqët përmes ndërmjetësit, siç supozohej më parë.
Vetë anëtarët e ekipit thanë se Kina nuk dëshironte të ndante të dhëna kryesore me ta, pasi mund të sugjeronte që sëmundja ishte përhapur për muaj me radhë para se të zbulohej.