Zyrtarët rus reaguan ashpër ndaj akuzave për diplomaci përmes koronavirusit, duke hedhur poshtë dyshimet rreth vaksinës ose motiveve të marketingut dhe shitjes së vaksinës Sputnik. Ata thonë se përkundër një vale keqinformimi rreth efikasitetit të vaksinës së tyre, Sputnik është e njohur ndërkombëtarisht
Fushata e vaksinimit në Evropë është “e papranueshme ngadaltë” ndërsa nivelet në rritje të infeksionit në shumicën e vendeve në të gjithë rajonin do të thotë se situata e saj e virusit është “më shqetësuese sesa kemi parë në disa muaj”, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha të enjten se vaksinat “paraqesin mënyrën tonë më të mirë për të dalë nga kjo pandemi. Jo vetëm që funksionojnë, ato janë shumë efektive në parandalimin e infeksionit. Sidoqoftë, përhapja e tyre është e papranueshme ngadaltë”. Kluge tha se infeksionet në rënie midis moshës mbi 80 vjeç në Evropë reflektonin “shenjat e hershme të ndikimit të vaksinimit”, ndërsa të dhënat nga fushata e Mbretërisë së Bashkuar sugjeruan se vaksinat deri më tani “kishin shpëtuar, së paku 6000 jetë midis njerëzve mbi 70 vjeç”. Ai tha se në të gjithë rajonin evropian të OBSH-së, i cili përfshin 53 vende, përfshirë Rusinë dhe disa kombe të Azisë Qendrore, 10% e njerëzve kishin marrë një dozë ndërsa vetëm 4% ishin vaksinuar plotësisht. Vetëm 60% e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme më të ulëta në rajon kishin filluar vaksinimin.
“Më lejoni të jem i qartë: ne duhet të shpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin, duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave dhe duke përdorur çdo shishkë të vetme që kemi në magazinë, tani”, tha Kluge. OBSH tha se pesë javë më parë numri javor i rasteve të reja në Evropë ishte zhytur nën 1 milion, por ishte rritur përsëri në 1.6 milion, me gati 24.000 vdekje. Varianti më ngjitës i zbuluar për herë të parë në MB është i pranishëm në 50 vende. Në ndërkohë, për Serbinë dhe Hungarinë, vaksina ruse kundër koronavirusit “Sputnik-V” ishte si një dhuratë nga Zoti, duke u mundësuar të dy vendeve që të përshpejtojnë procesin e vaksinimit. Austria njoftoi në mesjavë se është në negociata për blerjen e një milion dozave.
Gjermania dhe Franca janë gjithashtu të etura për vaksina dhe po negociojnë për të blerë prodhimin rus. Nga mesi i javës, Berlini i kërkoi Komisionit Evropian blerjen e vaksinave Sputnik. Pastaj, zyrtarët gjermanë thonë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të vendosin vetë nëse duan të blejnë ose jo vaksinën ruse nga Brukseli. Por, megjithë ritmin e ngadaltë të vaksinimeve dhe mungesës së dozave, disa qeveri evropiane hezitojnë të porosisin vaksinën ruse, duke vlerësuar se përdorimi i vaksinës Sputnik-V është më shumë çështje gjeopolitike sesa çështje e shëndetit publik, me frikën se pas diplomacisë së Kremlinit për vaksinën ka motive të fshehta. Diplomacia e vaksinës po del të jetë po aq përçarëse sa nacionalizmi i vaksinave – veçanërisht kur bëhet fjalë për atë Sputnik. Kryeministrja e Lituanisë e cilësoi vaksinën si “një armë tjetër hibride” e përdorur nga Kremlini për të “përçarë dhe sunduar” Evropën. Indrida Simonyte thotë se arsyet altruiste nuk janë ato që motivojnë shitjet e vaksinës Sputnik. Muajin e shkuar ajo paralajmëroi se “Sputnik vjen e paketuar me shumë propagande dhe ambicie të hapura për ndarjen e vendeve të BE-së dhe partnerëve të tyre në jug dhe në lindje”.
Në mesjavë, Lituania njoftoi se nuk do të pranojë çertifikatat e udhëtimit nga turistët dhe vizitorët për arsye biznesi, që janë vaksinuar me Sputnik-V, të paktën derisa enti rregullator i barnave të Bashkimit Evropian ta autorizojë vaksinën ruse. Nëse autorizimi jepet, autoritetet e Lituanisë duken të gatshme të respektojnë vendimet e BE-së, megjithë hezitimet që kanë. Sputnik ishte vaksina e parë e regjistruar kundër koronavirusit, megjithëse miratimi i saj u bë vetëm nga Rusia dhe jo nga ndonjë entndërkombëtar i rregullimit të barnave. E financuar nga shteti dhe e zhvilluar nga Instituti për Kërkime Gamaleya në Moskë, miratimi i shpejtë në gusht të vitit të kaluar, i vaksinës Sputnik, që mban emrin e një sateliti të para një gjysmë shekulli, u pritur me shumë skepticizëm nga komuniteti i gjerë shkencor ndërkombëtar. Ekspertët shprehin mospajtimin e tyre me autoritetet ruse për miratimin e shpërndarjes së vaksinës para përfundimit të vlerësimeve, duke sugjeruar se shpejtësia e miratimit ishte bërë me qëllim, që të nxirreshin në pah aftësitë shkencore ruse.