Sikundër që titujt e shumicës së filmave për Krishtin e përmbajnë “mundimin”, “vuajtjen”, edhe filmi i Jane Bojaxhisë ndoshta mëton të tregojë pikërisht vuajtjet e një “populli biblik” njësoj si ato të Krishtit…! Dhe pastaj, nga titulli “Tallja me Krishtin” si metaforë, mund të vijmë gjer te tallja e ulët me vuajtjet e vërteta të këtij profeti që mund të jenë vënë në kontekst “zbukurues” te një vepër që mund të jetë shumë afër pamfletit politik
Nga Daut DAUTI
- Duket se filmat për “Krishtin” e kanë një fat të ngjashëm. Të “keqkuptohen”! Ndoshta ky ka qenë ai provokim artistik që autorët e filmit më të ri kontrovers, ia kanë vënë titull pretencioz, me emrin e Krishtit në të. “Tallja me Krishtin”. Për të zgjuar kureshtje, për ta universalizuar temën për çdo hapësirë të rruzullit ku pretendon të shfaqet, dhe natyrisht, diku në nëntekst, ndoshta dhe për t’i dhënë kontekst fetar e ndëretnik, me një vizurë bardh e zi, ku ndarja e “roleve” midis të mirës dhe të keqes, midis djallit dhe engjëllit, të jetë lehtësisht e identifikueshme. Kësisoj, qëllimi jo artistik i veprës, pra, ai i propagandës, të ketë efekt sa më të madh. Bëhet fjalë për ngjarje të vitit 2001, jo në Nazaret, por në Maqedoni dhe jo për Krishtin, por për ‘mundime Krishti”…
Jezu Krishti (njëri nga të dërguarit e Perëndisë, Isai) nuk është vetëm personazh i Biblës dhe librave tjerë të shenjtë ku përmendet (Kur’an…), por dhe personazh në shumë vepra artistike(letërsi, pikturë, film, muzikë…). Kur jemi te filmi, meqë për film është tema, që në dekadat e para të zhvillimit të kinematografisë, ende pa zë, është xhiruar filmi i parë për Krishtin(“Jeta dhe pasionet e Jezu Krishtit” 1902-1905), ndërkaq në vitet 20-të të shekullit të kaluar, jetës së Krishtit do t’i rreket njëri nga kineastët më të njohur të Holivudit, Sesil B. De Mill. Edhe në periudhat e ardhshme, pas një a dy dekadash, vjen nga një Krisht kinematografik. Për të mos u marrë me gjithë historinë kinematografike të këtij personaliteti historik e religjioz, dua ta kthej vëmendjen te çështja e provokacionit që nxit çdo vepër për Krishtin, e cila sadoqë u përmbahet fakteve, nuk është qind për qind histori, sepse një vepër arti nuk mund t’i qëndrojë besnike faktografisë. I takoj gjeneratës që më së shumti mund t’i mbajë mend ata filma që janë krijuar 3-4 dekadat e fundit, dhe këtu dallohen “Jezusi nga Nazareti” i Franko Zafirellit, një serial 6 orësh, i krijuar në vitin 1977. Ky film ku rolin e Krishtit e luan aktori britanik Rober Pauell, si ndër më mbresëlënësit, është ndër ata që është më afër faktografisë. Filmi tjetër, një dekadë më pas, ndër më provokativët, është ai i Martin Skorceses, “Mundimet e fundit të Krishtit”, ku regjisori i njohur “e zbret” personazhin në nivelin e njerëzores, duke shfrytëzuar lirinë artistike, duke shkarë në stër erotizim, kur në grahmën e fundit, Krishti njerëzor nuk i bën ballë tundimit të përkujtojë çastet intime me Maria Magdalenën. Ky film nuk është pritur mirë nga komuniteti kishtar me këtë lloj të lirisë autoriale. Në vitin 2004, do të vijë një film nga Mel Gibsoni, me një Krisht të luajtur bukur nga Xhon Kavizel, aktor i cili privatisht praktikant i devotshëm. Mirëpo, filmi do të mbahet mend për shumëfishimin e fitimit: kushtoi rreth 30 milionë dollarë dhe fitoi mbi 600 milionë. Sigurisht autori do të jetë tepër “falënderues” ndaj reagimeve negative që iu bënë filmit të tij nga komuniteti hebraik gjithkund nëpër botë, madje duke kërkuar ndalimin e tij. Dorën në zemër, këtë film kritika e konsideron si hiper të dhunshëm në njërën anë, kurse në anën tjetër, komuniteti i krishterë i zë për të madhe disa pasaktësi historike. Përsëri pra vijmë te vepra artistike e cila nuk mundet të pretendojë të riprodhojë ngjarjet e para dy mileniumeve. Por, në atë qasje, gjithsesi gjithnjë mbetet të gjykohet për mesazhin që jep ai, prandaj dhe komuniteti tjetër, ai hebraik, ka gjetur atë që për të është i papërshtatshëm. Këto kontroversa nuk e kanë ndaluar filmin, por e kanë rritur shikueshmërinë e tij. Duke pasur parasysh suksesin komercial, Mel Gibson tash ka paralajmëruar pjesën e dytë të këtij filmi, me aktorin e njëjtë në rolin e Krishtit, por tash jo për vuajtjet e Krishtit para vdekjes, por për Ringjalljen e tij pas…Të presim a do të shkojë edhe kjo vepër vijës së mprehtë të provokimit, që do t’i garantonin shtimin e kureshtjes dhe fitimin.
- Problematizimi i veprave është e gjatë sa vetë historia e krijimtarisë. Kinematografia, ndonëse lindi parë një shekulli e ndonjë dekadë, nuk ka mbetur mbrapa fushave tjera krijuese për nga provokimi, qoftë artistik, qoftë tematik, duke trasuar një rrugë të vështirë ku shpesh janë ballafaquar koncepti autorial përballë dogmave ose kufizimeve të shoqërisë. Censura ka qenë gjatë kohë, deri në ditët e sodit jo e flakur tërësisht në shumë vende, bashkudhëtari i krijimtarisë, për t’i ndalur “hovin” lirisë në thyerjen e tabuve të ndryshme.
Nëse kapacitetet e kinematografisë së Maqedonisë nuk mundësojnë spektakle kushtuar jetës së Jezu Krishtit, si filmat e sipërpërmendur, të paktën me emrin e tij mund të bëjë provokimin. Është shumë keq kur shkruan për një vepër filmi që s’e ke parë. Po bazohem në atë që është shkruar kohëve të fundit për filmin “Tallje me Krishtin” nga Jane Bojaxhi, që është xhiruar në vitin 2015 me paratë nga Agjencia e Filmit, pra me para të të gjithë qytetarëve. Ky kontekst e bën atë të diskutueshëm nga shumë aspekte: që nga keqpërdorimi i mjeteve buxhetore për të realizuar një film me përmbajtje problematike, te kriteret për ndarjen e parave për vepra, te liria e shprehjes e gjer te përhapja e urrejtjes. Dhe natyrisht, shikimi i tij nuk mund të bëhet jashtë kontekstit të një shoqërie të ndarë, ku komunitetet kryesore kanë për shumëçka dallime për shtetin, për historinë, për të kaluarën dhe të tashmen. Nga një herë ajo qasje ndryshe e mjegullon realitetin duke qenë subjektive dhe emotive. Kështu këto dy komunitete kanë qasje të ndryshme për konfliktin e vitit 2001, për njërën palë, luftë e arsyeshme dhe e domosdoshme për të ndërruar statusi e tyre, dhe për palën tjetër një luftë e panevojshme për të drejtat që do të fitoheshin rrugës politike. Në këtë vizurë qasjesh s’ka si të mos përfshihen edhe krijuesit, kush më pak, e kush më tepër.
Siç përciptazi u përmend te kinematografia botërore rreth figurës së Jezu Krishtit, ashtu dhe këtu autorët mund të kenë qasje e cila ikë prej faktografisë, për të thurë një rrëfim të motivuar nga një konflikt, dhe për të mbindërtuar idenë e për të dhënë një mesazh. A është ai mesazh kundër luftës si një fenomen historik që krijon një çrregullim shoqëror me pasoja tragjike, apo është një rrëfim i cili dëshiron ta paraqesë në mënyrë bardh-e zi atë. Problemi është shumëdimensional. Gërshetohen qëndrimi ndaj ngjarjeve dhe (jo)objektiviteti, liria artistike për t’i dhënë rrëfimit kahen që dëshiron autori në realizimin e veprës, rreziku për të rrëshqitur në patetikë dhe pamflet që zbeh artistiken, gjer në nivel propagandues. Ku e çon veprën e tij Jani Bojaxhi? Konfliktin e vitit 2001 të gjithë që kemi përcjellë i dimë të gjitha faktet: sa ka zgjatur, sa viktima ka pasur në të dy palët, sa viktima civile nga luftimet dhe sa civilë të zhdukur, cilat kanë qenë palët ndërluftuese dhe sa i kanë respektuar ligjet e luftës…Një vepër artistike mund të inspirohet me ndonjë episod lufte dhe mund të trillojë gjëra për ta mbindërtuar gjer në ngritjen nivelin e një ideje…Mund të jetë edhe në lajthitje, me vetëdije ose me qëllim, ndoshta këtu ndeshemi me lirinë e autorit. Por, një autor i mirë, gjithsesi, nuk do të lejonte që vepra e tij të mbjellë urrejtje, në një konflikt brenda një vendi, gjërat nuk mund të shikohen nga këndvështrimi i filmave partizanë midis të këqijve (okupatorëve gjermanë, italianë ose bullgarë dhe kuislingëve të shumë…) dhe të mirëve (partizanëve). Duhet marrë me rrënjët e luftës dhe reflekset e saj në jetën e njerëzve…Një film të tillë që kishte refleksion luftën e vitit 2001, por në nivel universal, është ai i Shqipe Nuredinit, “Babai” (në interpretim brilant do të mbetet në kujtesë i ndjeri Sefedin Nuredini), ku jo se autorja nuk ka mundur, por nuk ka dashur të merret me aspektet politike të një konflikti, por me pasojat, me viktimat, me zbrazëtinë që lë një konflikt dhe shumëçka tjetër. Nuk ka emblema uniformash ky film që u bë me pak pare(as sa një e treta e filmit “Tallje me Krishtin”), por ka vragat e luftës në shpirtin e njerëzve. Pra, filmi i Shqipe Nuredinit mund të jetë shembull i mirë për kujdesin e autores që mos ta zbret filmin në një rrëfim që drejtpërdrejt merret me palët ndërluftuese, për t’i ikur asaj qasje tepër të mundshme të këndvështrimit etnik. Autor tjetër shqiptar praktikisht për këto afro dy dekada pas konfliktit nuk e ka trajtuar në stilin siç e ka bërë Jane Bojaxhi, ose siç vëllai dhe motrat Mitevski (Teona dhe Labina Mitevska) e kanë bërë me ngjarje për të cilat ende nuk është zbuluar e vërteta, siç është filmi i tyre për rastin “Monstra”) ose një film fill pas konfliktit, “Si vrava një të shenjtë”…
- Lidhur me filmin “Tallje me Krishtin” përmbajtja e tij e bën problematik edhe financimin e tij. Si ka mundur një film me përmbajtje që mbjell urrejtje të jetë financuar me para të popullit. Mediat presionin e bënë edhe ndaj faktorëve që kanë marrë vendim për ndarjen e 300 mijë eurove këtij filmi. Unë gishtin nuk do ta drejtoja ndaj atyre që e kanë lejuar, sepse edhe në të ardhmen do të paraqitet ndonjë rast i ngjashëm, sepse metodologjia e krijimit artistik lejon manipulime, siç lejon manipulime edhe metodologjia e përzgjedhjes së veprave që zgjidhen për t’u financuar. Në një konkurs mund të ju vijnë shumë skenarë dhe si organ vendimmarrës mund të bëni një zgjedhje të drejtë, por kjo nuk garanton se në procesin e mëtutjeshëm të realizimit, autori i përkrahur do t’i përmbahet skenarit. Ai mund rrugës ta ndryshojë, ta mbindërtojë, gjithnjë në emër të perfeksionimit artistik, në të cilin organi që e ka përkrahur(Fondi (Agjencia) e Filmit) të mos ketë pasur qasje. A mund të ndërhyhet? Nuk mundet. Çdo ndërhyrje mund të kuptohet si cenim i lirisë së krijimtarisë! Dhe vijmë te paradoksi tjetër, nëse ju kujtohet konteksti i filmit të Mel Gibsonit, sa më shumë ta shani një vepër, do t’ia rrisni shikueshmërinë! Ndoshta dhe do ta zgjoni kureshtjen edhe të festivaleve. Shikoni shtypin: gjersa mediat në gjuhën shqipe vazhdojnë ta trajtojnë aspektin problematik të përmbajtjes, në disa media në gjuhën maqedonase shkruhet se në cilat festivale ka marrë pjesë ose do të marrë filmi i Jane Bojaxhisë! Sepse nuk mund ta ndaloni një vepër, pavarësisht përmbajtjes së tij, edhe pse, në një shoqëri demokratike, e garantuar është liria por dhe është e ndëshkueshme përhapja e urrejtjes. Me këtë të fundit, se përhapë urrejtje, nuk pajtohet regjisori i filmit koproduksional(maqedonas-grek-francez), pasi sipas tij vetëm 7 minuta qenkan keqkuptuar nga 150 sa ka gjithë filmi. Prej filmit të tij tashmë u distancuan Ministri i Kulturës, kryeministri dhe drejtori i Agjencisë së Filmit, të cilët veprën e tij e quajtën “propagandë partiake që merr anë”, që në anën tjetër, mund t’i shërbejnë filmit për të treguar për “presionet” dhe “censurën” që i bëhen veprës, që regjisori e quajti “një fiksion artistik” bazuar në ngjarje të vërteta të vitit 2001(rasti i punëtorëve të “Mavrovës”, Beteja e Radushës, vrasja e të riut maqedonas duke luajtur në fushë sporti në Tetovë…)
- Duhet parë filmi, patjetër, dhe duhet vlerësuar atë që ka bërë autori. Duhet shikuar edhe metafora e tij “Tallje me Krishtin” si një akt paksa pretencioz, ndoshta edhe me atë lajthitjen dhe megalomaninë vetmashtruese të disa qarqeve për “popullin biblik”. Sikundër që titujt e shumicës së filmave për Krishtin e përmbajnë “mundimin”, “vuajtjen”, edhe ky film ndoshta mëton të tregojë pikërisht vuajtjet e një “populli biblik” njësoj si ato të Krishtit…! Dhe pastaj, nga titulli “Tallja me Krishtin” si metaforë, mund të vijmë gjer te tallja e ulët me vuajtjet e vërteta të këtij profeti që mund të jenë vënë në kontekst “zbukurues” te një vepër që mund të jetë shumë afër pamfletit politik.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)