Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se gati gjysma e kredive të miratuara ndaj amvisërive apo 41.4 për qind janë përqendruar tek ato amvisëri që pranojnë pagë mujore të njëjtë apo edhe më vogël se paga neto mesatare që në muajin mars ka qenë 26.422 denarë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 tetor – Qytetarët me paga më të ulëta kanë borxhin më të madh ndaj bankave. Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se në muajin mars të këtij viti, gati gjysma e kredive të miratuara ndaj amvisërive apo 41.4 për qind e kredive janë përqendruar tek ato amvisëri që pranojnë pagë mujore të njëjtë apo edhe më vogël se paga neto mesatare që në muajin mars ka qenë 26.422 denarë. Nga Banka Popullore e Maqedonisë thonë se kjo kategori e kërkuesve të kredisë kanë borxhin mesatar më të ulët për person, shkruan gazeta KOHA.
“Borxhi i tyre kryesisht është i dedikuar për kredi konsumatore, kartela kreditore dhe saldo negative në llogaritë rrjedhëse, ndërsa borxhet e kredive banesore janë më të vogla. Ndaj amvisërive me pagë neto të njëjtë apo më të vogël se paga mesatare, kanë të bëjnë 55 për qind e kredive në bazë të kartelave kreditore, 50.7 për qind e kredive konsumatore dhe 16.3 për qind e kredive banesore”, thonë nga Banka Popullore.
Gati gjysma e totali të kredive të amvisërive prej afër 3 miliardë euro, apo afër 1.5 miliardë euro në fund të muajit mars kanë të bëjnë me kreditë konsumatore. Vlera e borxheve të tjera ka qenë 860 milion euro për kredi banesore, 189 milion euro për kartela kreditore, etj. Të dhënat tregojnë se në fund të muajit mars të këtij viti, 2.5 për qind e kredive konsumatore shfrytëzohen nga pranuesit e pagës deri 7000 denarë, 15.3 për qind të kredive konsumatore shfrytëzohen nga pranuesit e pagës prej 7-15 mijë denarë, ndërsa 22.7 për qind e shfrytëzuesve të kredive konsumatore pranojnë paga mujore prej 15-22 mijë denarë. Shfrytëzues të kredive me paga prej 22-25 mijë denarë janë 10.2 për qind, shfrytëzues të kredive me paga prej 25-30 mijë denarë janë 13.4 për qind, dhe shfrytëzues me pagat prej 30 deri 50 mijë denarë janë 21.7 për qind. Afër 10 për qind janë shfrytëzuesit e kredive konsumatore me paga prej 50 deri 100 mijë denarë, dhe 4.4 për qind janë shfrytëzuesit e kredive me paga më të larta se 100 mijë denarë. Ekspertët ekonomik thonë se me dobësimin e standardit jetësor, rritjen e çmimeve po ritet edhe huazimi i qytetarëve në banka për të mbuluar harxhimet mujore, pagua llogaritë mujore, blerjen e gjësendeve të ndryshme në amvisëri, blerjen e teknikës së bardhë, mbështetje për studentët dhe nxënësit etj
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se të gjitha shtetet e rajonit dallohen me borxhe të qytetarë ve ndaj bankave për shkak të pamundësisë që të kapërcejnë muajin.
“Pagat që nuk mbulojnë harxhimet e ndryshme janë ndër faktorët kryesor që qytetarët marrin kredi konsumatore dhe kanë minuse nëpër banka për shkak se edhe rritja nominale e pagave në vitet e kaluara nuk ka qenë edhe reale dhe nuk ka përmirësuar dukshëm fuqinë blerëse të qytetarë ve “, thonë ekonomistët. Ata shtojnë se përkundër pagës së lartë mesatare që ka arritur 27 mijë denarë, megjithatë një pjesë e madhe e konsiderueshme e popullatës kanë paga prej 14.000 deri 22 mijë denarë, që është shumë më e vogël si shumë se paga mesatare në shtet. (koha.mk)