Më në fund Jan Oblak portieri slloven i cili konsiderohet si një nga më të mirët në botë në rolin e tij, ka vendosur të rinovojë kontratën me Atleticon e Madridit. Menaxheri i lojtarit ka pranuar ofertën e drejtuesve të Los Colchoneros që Oblak të zgjasë bashkëpunimin me Atleticon duke shmangur sirenat e largimit. Oblak prej kohësh kërkonte një përmirësim të kushteve financiare, pasi në të kundërt mund të largohej nga bardhekuqtë madrilenë pasi në drejtim të tij kishte shumë oferta nga disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Kontrata aktuale e Oblak me Atleticon skadon në verën e vitit 2021 ndërsa marrveshja e re do ta mbajë të lidhur portierin slloven me skuadrën e Simeones deri në vitin 2023, ndërkohë që në kontratën e re do të rritet edhe vlera e klauzolës së largimit që aktualisht kap shifrën e 100 milionë eurove.