Kur topat mbërrijnë në zonën e tij, Mauro Ikardi i magnetizon dhe pastaj i fut në rrjetë. Me një natyrë çarmatosësh. Me dopietën kundër Sampdorias, argjentinasi arriti në kuotën e 11-të golave, duke lënë pas vetes me një gol më pak patriotin Dybala dhe pozicionuar pas kryegolashënuesit Immobile. Numra të frikshëm prej bombarduesi race.
Duke luajtur dhe duke folur si kapiten. “Ne jemi në krye, por nuk mund ta rrezikojnë këtë”, – tha ai për “Premium Sport”. – Në këto situata ne duhet të përmirësohemi, sepse ne e dimë cilësinë që kemi. Sidoqoftë, rruga është ende e gjatë. Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe përfundimisht do të shohim se ku do të jemi. Qëllimi mbetet Çampionsi”. Dhe, nëse Mauro vazhdon të shënojë kështu, Interi nuk duhet të ketë probleme. Ndërkohë, Luçiano Spaletti, megjithatë, i intervistuar nga “Premium”, preferon të fillojë nga aspektet pozitive të një ekipi, që renditet i pari për një natë dhe është ende i pamposhtur.
“Ajo që më bën efekt është sjellja e ekipit, rezultatet dhe renditja, të cilat nuk janë të mundshme pa një ekip të fortë. Sonte ne bëmë një performancë të mirë. Sidoqoftë, tek Interi nuk ka vend për eufori, sepse duhet gjetur gjithmonë mënyra për të fituar çdo lojë. Ne kemi luajtur një ndeshje të madhe, jo 70, 60, ose 50 minuta. Kjo ishte një lojë e madhe në tërësi. Pastaj, kundërshtari, i fortë dhe i trajnuar mirë, na vuri në vështirësi në fund. Ne e arritëm qëllimin. Pra, gjithçka ishte në rregull”, deklaroi Spaleti. Gjithsesi, Interi fitoi dhe morri përkohësisht kreun e renditjes, me 26 pikë, në 10 javë, 1 më tepër se Napoli, që mbrëmë luajti me Xhenoan.