Çerdhet në Tetovë janë duke punuar me kapacitete të plota, duke respektuar protokollet për mbrojtje nga virusi korona si për fëmijët po ashtu edhe për personelin edukativ dhe teknik. Në të gjitha çerdhet e Tetovës aktualisht janë duke frekuentuar 350 fëmijë
Urim HASIPI
Tetovë, 6 mars – Pothuajse të gjitha objektet e çerdheve në Tetovë tashmë janë të renovuara dhe janë krijuara ambiente më të mira për ndjekjen e procesit edukativ nga ana e fëmijëve parashkollorë. Aktualisht po zhvillohen punët përfundimtare në katin e dytë në çerdhen për fëmijë që ndodhet tek Qendra sportive në Tetovë. Punët sipas paralajmërimeve pritet të përfundojnë këtë javë. Pas përfundimit të kësaj pjese të renovimit të kësaj çerdhe, më pas do të fillojnë punët në katin e parë, me qëllim që fëmijët të kenë hapësirë të qëndrojnë pa ndërprerë procesin edukativ. “Tashmë në pjesën e sipërme jemi në fazën përfundimtare të renovimit, kurse javën e ardhshme shpresojmë të fillojnë punët rreth renovimit të katit të parë. Fëmijët do të mësojnë në katin që është duke u rregulluar, pra në të dytin deri në përfundim të punëve. Me këtë dëshiroj që të them se edhe punojmë por edhe njëkohësisht pandërprerë zhvillojmë procesin edukativ me fëmijët”, ka deklaruar Ramije Dauti, drejtoreshë e Çerdhes “Rinia” në Tetovë.
Sipas saj, çerdhja do të merr një pamje krejtësisht tjetër pas renovimit. “Është duke u bërë lyerja e objektit, rregullimi i rrymës elektrike, nyjat sanitare janë rregulluar, dyert, dritaret e kështu me radhë. Momentalisht, sipas projektit do të renovohet tërësisht pjesa e brendshme e këtij objekti, gjegjësisht të çerdhes Rinia që ndodhet afër Qendrës sportive”, theksoi drejtoresha Dauti.
Parashihet që gjatë verës të ketë ndërhyrje tjera rreth rregullimit të dy objekteve që janë në kuadër të çerdhes Rinia. “Gjatë verës po ashtu është paraparë të rregullohen edhe pjesët e jashtme të këtij objekti dhe objektit të çerdhes që ndodhet në lagjen “Potok”, afër Stadiumit të qytetit të Tetovës. Në objektin që ndodhet në Qendrën sportive presim të rregullojmë edhe oborrin. Kjo është edhe çerdhja e fundit ku punohet për rregullimin e së njëjtës, pasi që deri më tani edhe objektet tjera janë renovuar ndër vite. Tashmë në Tetovë nuk ka objekte të vjetra të çerdheve, sepse të gjitha janë renovuar”, thotë drejtoresha Ramije Dauti.
Ndërkohë është duke u punuar për vendosjen e pajisjeve në Qendrën për zhvillim të hershëm të fëmijëve në fshatin Saraçinë, ku do të ndjekin mësimin e hershëm parashkollor 25 fëmijë. “Punohet në rregullimin e Qendrës për zhvillim të hershëm të fëmijëve në fshatin Saraçinë. Presim që të gjitha punët që janë paraparë në atë objekt të kryhen deri në fund të muajit qershor”, theksoi ajo.
Çerdhet në Tetovë janë duke punuar me kapacitete të plota, duke respektuar protokollet për mbrojtje nga virusi korona si për fëmijët po ashtu edhe për personelin edukativ dhe teknik. Në të gjitha çerdhet e Tetovës aktualisht janë duke frekuentuar 350 fëmijë. Në periudhën që vijon, pritet të shpallet tenderi për ndërtimin e çerdhes së re për fëmijë në Tetovë. Informacionet janë se dokumentacioni është përgatitur dhe është në fazën përfundimtare, kurse në periudhën që pason pritet të publikohet thirrja publike në ueb sajtin e Bashkimit Evropian. (koha.mk)