Obeziteti i fëmijëve në SHBA, shqetësim serioz

Numri i fëmijëve amerikan që kanë mbipeshë në moshë të re është në rritje e sipër tregon studimi i fundit i Universitetit Emory në Atlanta

Në vitin 1998, afërsisht 73 për qind të fëmijëve në SHBA, nisën në kopshte me një peshë të shëndetshme, bazuar në Indeksin e Masës Trupore (IMT), ndërsa mbi 15 për qind ishin me mbipeshë dhe 12 për qind ishin me obezë. Pas më shumë se një dekade, përqindja e fëmijëve që ishin me mbipeshë kur nisën në kopshte ishte në thelb e pandryshuar. Megjithatë, përqindja e njerëzve obezë u rrit në 15.3 për qind, dhe përqindja e fëmijëve me IMT të shëndetshme u ul në 69 për qind, sipas rezultateve të një studimi të publikuar më 5 korrik në revistën shkencore “Pediatrics”. “Këto të dhëna shqetësuese tregojnë se epidemia e obezitetit të fëmijët në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet dhe po bëhet më serioze,” tha autori i studimit Venkat Narayan nga Universiteti Emory në Atlanta. Për qëllime të hulumtimeve shkencore, studiuesit analizuan të dhëna statistikore për dy grupe fëmijësh që u ndoqën nga nisja në kopshte e deri në klasën e pestë; një grup filloi kopshtin e fëmijëve në vitin 1998, dhe grupi i dytë filloi në 2010.

Gjatë periudhës së studimit, obeziteti u bë më i zakonshëm tek nxënësit e shkollave fillore dhe filloi të zhvillohej në një moshë më të re.

Advertisements

Hulumtuesit i identifikuan fëmijët me obezitet bazuar në IMT-në. Ndryshe nga të rriturit, IMT-ja për fëmijët bazohet në atë se sa pesha e tyre përshtatet me fëmijët e tjerë të së njëjtës gjini dhe moshë. Fëmijët konsiderohen obezë kur IMT-ja e tyre është në përqindjen e 95-të ose më të lartë, që do të thotë se ata kanë një IMT më të lartë se 95 për qind e fëmijëve të tjerë të së njëjtës gjini dhe moshë. Rezultatet e hulumtimit treguan gjithashtu se të gjithë fëmijët nuk janë në të njëjtin rrezik për obezitet. Midis fëmijëve që filluan në kopshte në vitin 1998, fëmijët e bardhë kishin rrezikun më të ulët të obezitetit (13.7 për qind), krahasuar me fëmijët me ngjyrë (17.3 për qind) dhe fëmijët hispano-amerikanë (19.9 për qind). Dymbëdhjetë vjet më vonë, normat e obezitetit në fillim të çerdhes u ndryshuan pak për fëmijët e bardhë dhe të rinjtë hispanikë, por u rritën me 29 për qind tek fëmijët me ngjyrë.

Varfëria luajti një rol të rëndësishëm në këtë. Normat më të larta të obezitetit mes fëmijëve që filluan të shkojnë në kopshte në vitin 1998 ishin midis atyre me status më të ulët socio-ekonomik (të ardhurat, profesioni dhe arsimi). Këta fëmijë kishin norma obeziteti prej 17.7 deri në 18.1 për qind, krahasuar me 10.3 për qind në mesin e fëmijëve me statusin më të lartë socio-ekonomik.

Normat e obezitetit u rritën më së shumti tek fëmijët në grupet më të ulëta dhe më të larta socio-ekonomike. Prandaj, hulumtimi tregoi se “fëmijët e të gjitha klasave janë në rrezik të obezitetit”. Kur studiuesit analizuan të dhënat për të sapolindurit, ata zbuluan se fëmijët me peshën më të lartë të lindjes, shpesh të lidhur me obezitetin e nënës, kishin shkallën më të lartë të obezitetit në kopshtet e fëmijëve në 1998, me 16.2 për qind. Dhe rreziku i tyre për obezitet u rrit me 35 për qind gjatë periudhës së hulumtimit. Ekspertët që e kryen hulumtimin theksuan se mund të jetë e vështirë të thyhet ky cikël i njerëzve obezë që lindin fëmijë me rrezik të shtuar të obezitetit nëse vazhdojnë tendencat e obezitetit në fëmijëri, kryesisht sepse njerëzit që bëhen obezë gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës shpesh luftojnë me obezitetin dhe problemin peshës trupore edhe më vonë kur bëhen të rritur. Fëmijët me obezitet janë në rrezik të shtuar të sëmundjeve kardiovaskulare, presionit të lartë të gjakut, ngurtësimit të arterieve dhe anomalive të zemrës, si dhe diabetit të tipit 2, sëmundjeve të mëlçisë dhe problemeve muskuloskeletore, theksoi ekipi hulumtues i Universitetit Emory

Indeksi i masës trupore (IMT) është një tregues antropometrik që rrjedh nga masa dhe lartësia e trupit. IMT-ja ofron një masë të thjeshtë numerike të trashësise ose dobësisë së një personi, duke lejuar profesionistët e kujdesit shëndetësor të shohin problemet e peshës së pacientëve të tyre në mënyrë më objektive. Indeksi i masës trupore është përdorur për të përcaktuar standardin mjekësor të kequshqyerjes/trashësisë në shumë vende që nga mesi i viteve 1980, dhe kjo metodë vlerësimi përdoret gjithashtu në statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një BMI më pak se 18.5 trajtohet si kequshqyerje, një çrregullim në të ngrënë ose një problem tjetër shëndetësor, ndërsa një BMI e barabartë me ose më e madhe se 25 konsiderohet mbipeshë dhe njerëzit me një BMI mbi 30 konsiderohen obezë.