Çdo lëvizje e mbarsur me mesazh, energji e dinamizëm. Si vargu i Kadaresë që përshkruan një valle, ku “këmba sinjale i çon tokës dhe dora qiellit i jep lajm”, shfaqja me koreografi nga mjeshtri shqiptar i baletit, Pullumb Agalliu, për plot 45 minuta rikrijoi gati një shekull të historisë shqiptare.
“Ti ke pas qenë një zonjë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë”, rikumbojnë vargjet e shkruara nga Pashko Vasa rreth 140 vjet më parë, ndërkohë që mbi njëzet balerinë me lëvizjet e tyre kuptimësojnë çdo varg të rilindësit shkodran. Me një ndërthurje melosi nga rapsoditë epike shqiptare e lirika folklorike, balerinët “zbritën” në tokë fatin e Shqipërisë sikur të ishte një dramë trepjesëshe: një Shqipëri e lumtur, një Shqipëri e copëtuar dhe një Kosovë e çliruar. Kështu të martën mbrëma, balerinët e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës dhanë premierën e shfaqjes së koreografuar nga profesor Pullumb Agalliu, “O moj Shqipëri” për nder të përvjetorit të 20-të të çlirimit të Kosovës.
“Balerinët kanë punuar në mënyrë të shkëlqyeshme për këtë vepër me shumë kërkesa emocionale dhe teknike”, ka thënë profesor Agalliu, menjëherë pas shfaqjes. Ai ka theksuar se poema e Pashko Vasës, ashtu si edhe shfaqja, është diçka që fillon e mbaron me një frymë. “Është sikur sprinti”, ka thënë Agalliu, teksa ka vënë buzën në gaz.
Premiera “O Moj Shqipëri”, si e treta me radhë e realizuar këtë vit nga Baleti Kombëtar i Kosovës, u shfaq edhe të mërkurën mbrëma në kuadër të protokollit të ceremonisë shtetërore të shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Të bashkëshoqëruar tërë kohën me një përzgjedhje të veçantë nga repertori i muzikës popullore, si dhe me simfoninë e nëntë të Beethovenit, balerinët interpretuan plot ndjenjë një histori gati njëshekullore, duke ringjallur me lëvizjet e tyre edhe djem e vajza me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Balerini Sinan Kajtazi, i cili është edhe ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se kjo shfaqje u mundësua falë punës së vazhdueshme të balerinëve, të cilët u angazhuan në prova pa asnjë ditë pushim.
“Ka qenë një sfidë goxha e madhe duke e pasur parasysh që i kemi pasur tri premiera me radhë, krejtësisht të ndryshme prej njëra-tjetrës, si nga tema ashtu edhe nga stili i kërcimit. Ajo çfarë e bëri më të mirë këtë shfaqje është se veç jemi mësuar me stilin e profesor Agalliut”, ka thënë ai. Sipas Kajtazit, koha ishte tepër e shkurtër për të vënë në skenë 45 minuta koreografi. “Ishte një shfaqje shumë dinamike dhe e shpejtë, por shpresoj që t’i ketë pëlqyer publikut”, ka shtuar ai.
Edhe balerini Fatmir Smani ka thënë se koha ka qenë tepër e kufizuar për këtë “shfaqje intensive”, siç e quajti ai.
“Kemi punuar intensivisht pa asnjë ditë pushim që gjithçka të shkojë sa më mirë në këtë datë të veçantë, siç është 20-vjetorit i çlirimit”, ka thënë ai. Ky ishte, sipas tij, bashkëpunimi i katërt me profesorin Pullumb. “Gjithçka ka ecur shumë lehtë. Kemi bërë një punë intensive, sepse një shfaqje plot 45 minuta kërkon shumë”, ka thënë Smani.
Ndërkaq balerina Jeta Musolli e cilësoi nder dhe kënaqësi punën me profesorin dhe koreografin Agalliu. Ajo u shpreh e kënaqur që gjithçka shkoi mirë gjatë shfaqjes, dhe, sipas saj, “secila pjesë i pati veçantinë dhe emocionin e vet”.
“Shfaqja që e prezantuam para publikut ka një emocion të veçantë për nder të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Më vjen mirë që gjithçka shkoi si duhet, publikut i pëlqeu dhe dhamë paraqitjen më të mirë që mundëm”, ka thënë Musolli.
Fetah Dragusha, piktor autodidakt, ka thënë për gazetën se ndihet i kënaqur që po rikthehen motivet kombëtare në shfaqje të baletit.
“Kisha emocione të përziera për Shqipërinë e mjerë dhe shfaqjen e mrekullueshme, sepse i takoj gjeneratës relativisht të vjetër. Jam lodhur me shfaqje të krijuesve të huaj dhe tani më duket se po i kthehemi vetvetes me tema shqiptare”, ka theksuar ai. (Koha Ditore)