Laura PAPRANIKU
Shkup, 24 dhjetor – Organizimi i nxënësve brenda shkollave apo qoftë edhe aspiratat e tyre për t’u imponuar si faktorë në vendimet që sillen për ta, nuk është aspak në nivele të lakmueshme ashtu sikurse mungon edhe vullneti i tyre për të vepruar në kuadër të organizatave më të mëdha. I themeluar në janar të 2015-ës, Unioni i Nxënësve Shqiptarë të Shkollave të Mesme (UNSHM), për shembull, për momentin ka shtrirje në vetëm pak qytete të Maqedonisë dhe, megjithëse selia e tij është Shkupi jo të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit kanë anëtarë e tyre në këtë Unionin. Ndërkaq, këshillat e nxënësve, si brenda shkollave ashtu edhe në kryesitë e klasave, janë më tepër formale se sa kuptimplota, shkruan gazeta KOHA.
Ylber Gashi, kryetar i UNSHM, thotë se pavarësisht përpjekjeve të cilat bëhen në drejtim të zgjerimit të unionit, ka ende shumë shkolla të mesme në Shkupit, ku UNSHM-ja nuk ka anëtarë të saj. Ndërkaq, shtrirja me degë nëpër qytete të tjera jashtë kryeqytetit, është ende më e vogël. “Përveç se në Shkup ku Unioni ka selinë e tij, kemi degë edhe në Tetovë, Prilep dhe Kumanovë”, tregon Gashi, ndërsa thotë se qëllimi i UNSHM-së, është të jetë zëri i të gjithë nxënësve shqiptarë pavarësisht qytetit ku ata jetojnë. “UNSHM, prej themelit të vet ka pasur për qëllim të jetë zëri i të gjithë nxënësve shqiptarë kudo qofshin ato. Qëllimi ynë për ët ardhmen është t’i prezantojmë nxënësit kudo që janë, pra edhe të hapim degë të reja në çdo qytet, mirëpo kjo varet nga rrethana të tjera që kanë të bëjnë me mundësitë dhe kohën”, pohon ai.
Do të punojmë në mënyrë graduale dhe në drejtim të zgjerimit të degëve tona në qytete të tjera, plotëson më tej ai, ndërsa një gjë e tillë thotë se vlen edhe për zgjerimin e degëve në raport me shkollat e qyteteve ku ata veprojnë. “Mundohemi që të kemi përfaqësues në të gjitha shkollat e qytetit të Shkupit, me qëllim të vënies së një komunikimi më të mirë në kontekst të dërgimit dhe marrjes së informatave, për çështje të cilat kanë të bëjnë me nxënësit e shkollave të mesme, për problematika që na takojnë të gjithëve. Dëshirojmë që të dëgjohet zëri i UNSHM-së në të gjitha shkollat dhe të bëhemi pjesë e zgjidhjes së problemeve të tyre”. Mirëpo, kryetari i UNSHM-së, thotë se diku kanë më shumë anëtarë e diku më pak.
“Ka shkolla ku, për fat të keq, nuk kemi asnjë anëtarët, prandaj do të vazhdojmë me përpjekjet që të shtrihemi më të gjitha shkollat e mesme të Shkupit dhe më gjerë, në çdo qytet. Për këtë kemi projekte të cilat kanë për qëllimi promovimin e UNSHM-së dhe besoj se do t’ia dalim të përfshijmë në anëtarësinë tonë nxënës nga të gjitha shkollat”, shprehet për KOHA Gashi, nxënës i Shkollës së Mesme “Maria Kiri Skllodovska” në Shkup.
Në shkollat e mesme, sipas tij, duhet të punohet shumë edhe në drejtim të organizimit të nxënësve brenda shkollave, si dhe rritjen e vetëdijes së tyre për pozita vendim marrëse. Nxënësit në përgjithësi janë të organizuar nëpër bashkësi, në kryesi klasash dhe shkollash, mirëpo nuk janë pjesë e vendimmarrjes. “Kryetarët, nënkryetarët dhe anëtarët e kryesive ekzistojnë më tepër formalisht. Rrallë ndonjë shkollë ka këshill të nxënësve të organizuar mirë”, thotë kryetari i UNSHM-së. Paralelisht problemeve tjera që tangojnë nxënësit e mesëm, rritja e peshës së nxënësve brenda vetë bashkësisë ku ata veprojnë, është sfidë për UNSHM-në. Lidhur me përfaqësimin mbi bazë të përkatësisë gjinore, për momentin ky union udhëhiqet nga femër vetëm në Tetovë. Në qytetet tjera (Shkup, Prilep dhe Kumanovë) kryetarët janë meshkuj. Mirëpo, kryetari i UNSHM-së, Gashi vëren se Kryesina e unionit dominohet nga gjinia femërore, pra siç thotë ai, në kryesinë e UNSHM-së më tepër ka femra sesa meshkuj. (koha.mk)