Sipas përgjigjeve të nxënësve në analizën e bërë nga organizata “Të rinjtë munden”, mosbesimi te psikologu i shkollës vjen si pasojë e përvojës negative gjatë vizitës. Vetëm 17 për qind e nxënëseve e kanë vlerësuar takimin me psikologun je shkollës me notë të larta, ndërsa 60 për qind thanë se takimi nuk ishte mjaftueshëm i mirë
Zenel MIFTARI
Shkup, 24 qershor – Analiza e fundit e organizatën “Të rinjtë mundet”, ka treguar se vetëm shtatë për qind e nxënëseve të shkollave të mesme do të drejtoheshin te psikologu i shkollës nëse do të kishin nevojë, 30 për qind prej tyre do të drejtoheshin deri te një psikolog tjetër ndërsa 15 për qind do të kërkonin ndihmë nga interneti. Sipas përgjigjeve të nxënësve në analizën e bërë nga organizata “Të rinjtë munden”, mosbesimi te psikologu i shkollës vjen si pasojë e përvojës negative gjatë vizitës. Vetëm 17 për qind e nxënëseve e kanë vlerësuar takimin me psikologun je shkollës me notë të larta, ndërsa 60 për qind thanë se takimi nuk ishte mjaftueshëm i mirë. Anita Nikolovska, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Të rinjtë mundet”, tha se përvoja e tyre në diskutimet me psikologët, kanë ardhur në përfundim se ata kanë dëshirë të punojnë me nxënësit por kushtet e punës janë të kufizuar dhe nuk mund të jenë në shërbim të të gjithë nxënëseve. “Psikologët e shkollave ankohen për kushtet e tyre të punës në shkollë dhe kjo i pamundëson ata që të përkushtohen në profesionin e tyre dhe të punojnë me nxënësit”, deklaroi ajo.
Psikoterapistja Tiana Ivanovska, ka deklaruar se ajo është përpjekur të përfshije tema që vetë gjimnazistët kanë thënë se janë të rëndësishëm për ata, siç është dhuna ndaj bashkëmoshatarëve dhe bullizmi. “Shpesh punoj me nxënës të cilët kanë qenë viktima të bullizmit, por fatkeqësisht rrallë ndodh që të jenë 15-16 vjeç, sepse të miturit nuk lejohen të vizitojnë psikologun pa pëlqimin e prindërve. Kjo çon në raste kur një burrë 25-vjeçar vjen te psikologu me probleme me të cilat nuk ka qenë në gjendje të përballet më parë”, shprehet ajo.
Nga ana tjetër, gjatë prezantimit të analizës u diskutua edhe për nevojën e këshillimit për karrierë, gjegjësisht u promovuan dy pilot programe të tjera, programi i këshillimit për karrierë për nxënës të shkollave të mesme dhe programi për ngritjen e kapaciteteve të këshilltarëve për karrierë në kuadër të shkollave të mesme. Shoqata e Këshilltarëve për Karrierë, të cilët dhe janë një nga autorët e Programit të Këshillimit të Karrierës për nxënësit e shkollave të mesme, kanë kritikuar mënyrën e funksionimit të qendrave të karrierës në shkollat e mesme të vendit.
Ivana Dojçinovska Stojanoviç, nga kjo organizatë ka deklaruar se viteve të fundit në shkolla janë krijuar qendra të karrierës, por për fat të keq sistemi arsimor ende nuk ka arritur ta çojë këtë proces në atë pikë që çdo nxënës të ketë qasje në këshillimin për karrierë. “Gjithashtu, profesioni i këshilltarit të karrierës nuk ekziston në klasifikimin nacional dhe për këtë arsye konkludojmë se kemi shumë vështirësi përpara nesh”, tha ajo.
Programi u krijua duke u bazuar në hulumtimet për të shqyrtuar situatën aktuale me prindërit dhe interesimin e nxënësve për këshillim për karrierë. Sipas përgjigjeve, nxënësit nuk kanë zhvilluar kompetenca të karrierës si planifikimi i karrierës për atë që do të bëjnë pas mbarimit të shkollës së mesme, gjithashtu 90 për qind e tyre nuk janë mjaftueshëm të informuar për procesin e këshillimit për karrierë. Ky program pilot do të zbatohet në arsimin e mesëm me qëllim përmirësimin e rezultateve të nxënëseve dhe orientimin e tyre për karrierë. Norma për zbatimin e këtij programi do të jetë që të përfshihen edhe mësimdhënësit edhe nxënësit dhe të kalojnë nëpër një sërë trajnimesh për këshilltarë të karrierës. Ndryshe, përveç faktit që nxënësit nuk ndihen të lirë t’u drejtohen psikologëve të shkollës, gjithashtu edhe gjatë orës së mësimit nuk diskutohet aspak për shëndetin e tyre mendor, ku sipas ekspertëve kjo ndikon negativisht tek ata. (koha.mk)