Laura PAPRANIKU
Shkup, 26 mars – Mbi 1200 nxënës të moshës së arsimit të mesëm në Komunën e Zhelinës udhëtojnë çdo ditë me dhjetëra kilometra për të mësuar në shkollat e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Megjithëse, nga viti 2005 arsimi i mesëm është detyrim ligjor për të gjithë, nxënësit e kësaj komune sot e kësaj dite nuk kanë një shkollë të mesme apo qofte edhe paralele të disperzuara të shkollave të mesme të Tetovës. Iniciativat në fjalë kanë mbetur në vend numëro, pasi sikurse shpjegojnë kompetentët, “u është dhënë prioritet zgjidhjes së problemeve në arsimin fillor”. Secilin vit na është dashur të ndërtojmë nga një objekti të ri për secilën shkolle, me qëllim të rregullimit të tërësishëm të infrastrukturës shkollore, thotë për KOHA, Saubi Avziu, përgjegjësi për arsim në Komunën e Zhelinës. Aktualisht, plotëson me tej ai, janë në mbindërtim e sipër objektet në fshatrat Rogle dhe Çiflig. Mirëpo, pavarësisht kësaj, nevoja për sigurimin e një shkolle të mesme në këtë komunë apo qoftë edhe i disperzimit të paraleleve nga shkollat e mesme të Tetovës, mbetet nevojë e kohës. Çdo vit arsimin fillor e përfundojnë mbi 300 nxënës, që do të thotë se numri i përgjithshëm i atyre që për katër vite ndjekin shkollimin e mesëm në Komunën e Zhelinës është më tepër se 1200 nxënës. “Ky numër është konstant, pasi nuk kemi rënie në numrin e nxënësve që regjistrohen në klasë të parë”, shprehet Avziu, kurse sqaron se iniciativa për themelimin e një subjekti të ri shkollor vazhdon të jetë edhe më tej në agjendën e aktiviteteve që duhen realizuar në një plan jo shumë të largët. “Për momentin jemi në fazën e gjetjes së modaliteteve dhe të përcaktimit se cilat drejtime dhe profile do të shkonin përshtat me interesimin e nxënësve”, thotë përgjegjësi komunal i arsimit. Ai shton se ka një kohë të gjatë që planifikohet themelimi i një shkolle të mesme për nevojat e nxënësve të kësaj komune. Madje, po punohet në dy fronte, konkretisht për iniciativën e themelimit të një shkolle të mesme dhe për disperzimin e disa paraleleve të shkollave të mesme të Tetovës në këtë Komunë. “Meqë themelimi i shkollës dhe ndërtimi i një objekti përkatës merr pak më tepër kohë, jemi duke menduar që në ndërkohë të gjemë mundësitë e disperzimit të disa paraleleve nga shkollat e Tetovës në Zhelinë”, shpjegon Avziu. Madje, sipas tij, po hulumtohet se cilat janë drejtimet dhe profilet ku më së shumti orientohen nxënësit e kësaj Komune, me qëllim që të njëjtat të mund të disperzohen këtu. Çështja e hapësirave për disperzimin thotë se nuk paraqet problem, pasi ka hapësira të konsiderueshme në objektin e Shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Zhelinë. Prandaj, sipas tij, vendosja e paraleleve të disperzuar nuk do të ishte aspak problem. Edhe për ndërtimin e një objekti të ri, problemet hapësinore janë të zgjidhura. “Me planin detaj urbanistik, kemi ndarë vendin ku do të ndërtohej një shkollë e mesme. Toka është në pronësi të Komunës”, shpjegon përgjegjësi Avziu. Mirëpo, jo çdo gjë varet nga vullneti dhe gatishmëria e komunës. Si për themelimin e një shkolle të veçantë ashtu edhe për disperzimin e disa paraleleve të mesme nga shkollat e Tetovës, duhet pëlqim paraprak me Ministrinë e Arsimit dhe Komunën e Tetovës. “Në takimet që ka pasur me përfaqësues të Ministrisë, Komunës, inspektorët e një- sisë rajonale të Tetovës, e kemi diskutuar edhe këtë çështje”, shprehet ai, ndërsa sqaron se për shkak të prioriteteve tjera arsimore, nuk mund të pritet që të ketë ndonjë ndryshim për vitin e ardhshëm shkollor. Për këtë arsye, nxënësit e gjashtë shkollave qendrore dhe shtatë shkollat periferike, të 18 vendbanimeve të Komunës së Zhelinës, do të duhet të udhëtojnë edhe më tej në Tetovë. Të paktën kështu do të jetë edhe për vitin shkollor 2017/2018. “Duhet që fillimisht të ndahet buxhet për funksionimin e shkollës apo paraleleve të disperzuara”, sqaron Avziu. Për këtë, asnjëra prej dy opsioneve të lartpërmendura, nuk do të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara