Takime midis kreut të Studeniçanit dhe ministrit të Arsimit ka pasur, por marrëveshje në letër ende nuk ka!
Aida XHONI
Shkup, 25 shtator – Rreth 3500 nxënës të Komunës së Studeniçanit edhe këtë vit shkollor janë të obliguar të udhëtojnë rreth 50 kilometra në ditë për vajtje-ardhje në qytet për të ndjekur mësimin nëpër shkollat e mesme të qytetit. Edhe pse ideja për ndërtimin e një shkolle të mesme në këtë komunë është e kamotshme, asgjë konkrete nuk shihet në terren. Kreu i Studeniçanit, Azem Sadiku, tha për gazetën KOHA se kanë marrë premtime të shumta si nga organizata qeveritare turke “Tika”, ashtu edhe nga Ministria e Arsimit, por kjo vazhdon të mbetet një marrëveshje në “ajër”.
“Komuna e ka siguruar edhe lejen, edhe vendin edhe projektin… kemi pasur shumë premtime nga Organizata TIKA e Turqisë, ende nuk kemi diçka konkrete, mirëpo me të njëjtën shkollë kemi konkurruar edhe në MASH. Tash në takimin e fundit që kam pas me ministrin na ka dhënë shumë premtime që duhet të parashihen mjete për vitin e ardhshëm që të financohet shkolla e mesme edhe nga MASH. Mirëpo, konkretisht nuk ka dokumentacione… premtimet janë shumë serioze se MASH-i do të angazhohet dhe do ta merr përsipër edhe do të ndërtohet edhe kjo shkollë e mesme”, tha Sadiku.
Edhe nga MASH-i konfirmojnë për KOHA se ministri Arbër Ademi ka pasur takim me kreun e Studeniçanit, duke dhënë sinjale pozitive për këtë projekt.
“Ministri ka pasur takime më kryetarin e Komunës së Studeniçanit, ku është biseduar rreth nevojës për një shkollë të mesme në atë anë. Mendohet që ky projekt të futet në Buxhetin e vitit 2019 dhe nga viti i ardhshëm, të fillojnë punimet për atë shkollë”, thanë nga kabineti i Arbër Ademit. Për ndërtimin e shkollës së mesme në mandatin e kaluar, Sadiku ka siguruar tokën ndërtimore prej 5 mijë metrash katror, ndërsa bazuar në nevojat e banorëve të kësaj ane, mësimi në këtë shkollë parashikohet të realizohet në gjuhën shqipe dhe turke. (koha.mk)