Shkup, 20 dhjetor – Nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët për herë të parë në mënyrë të organizuar iu bashkuan shoqatave të qytetarëve të cilët janë pjesë e “Frontit të gjelbër” dhe “Revolucionit të gjelbër” në marshin protestues për ajër të pastër nën moton “Marsh për jetët tona! NDAL për 3.500 viktimat e ajrit të ndotur!”.
Marshi filloi para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor prej ku u nisën para godinave të Kuvendit dhe Qeverisë. Duke brohoritur “Duam të marrim frymë”, “Duam ajër tani”, “Pa ajër, s’ka qetësi”, “Ajër dhe jo përfitim”, “Poshtë përfituesit”,… nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët i porositën më të rriturit se këtu janë që të luftojnë për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit të cilin pikërisht të rriturit e kanë krijuar.
“Shpresojmë se të rriturit do të jenë mjaft të rritur që të mund të luftojnë me problemet e këtilla të cilat ata i krijojnë. Problemet të cilat ata i krijojnë dhe lënë t’i zgjidhin gjeneratat e ardhshme, ndërsa ato gjenerata të ardhshme jemi ne. Ne nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët duhet të luftojmë me problemet e tyre. Ne dimë dhe mund dhe themi se si në mënyrë të përshtatshme të rregullohet problemi me ajrin e ndotur. Qartë thamë se çdo ditë do t’i përkujtojmë institucionet se kanë obligime të pashlyera ndaj qytetarëve të tyre dhe se nuk do të heqim dorë aq lehtë dhe se do të luftojmë, pasi të gjithë kemi të drejtë për ajër të pastër”, porositën nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare paralajmëruan se protestat e tyre do të vazhdojnë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre dhe i përkujtuan kompetentët se më 31 dhjetor t’u skadojë afati i parë për plotësimin e mbi 100 kërkesave për ajër të pastër. Theksuan se protestat do të zgjerohen në të gjitha qytetet në shtet, pasi, siç thanë, për ajër të pastër kanë nevojë të gjithë.
Nxënësit prej më shumë shkollave të mesme në vend sot e bojkotuan mësimin në shenjë revolte për shkak të ndotjes së madhe të ajrit.(koha.mk)