Shkup, 22 janar – Nesër fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2018/2019 për nxënësit e të gjitha shkollave publike dhe private, fillore dhe të mesme në të gjitha komunat e Republikës së Maqedonisë.
Siç kumtoi sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vendimi për fillim të gjysmëvjetorit të dytë është sipas rekomandimeve të Grupit intersektorial punues për përcjellje të gjendjes me cilësinë e ajrit ambiental.
Nga nesër nuk vlejnë më edhe masat dhe rekomandimet për mbrojtje nga ndotja që i vendosi pardje Qeveria, sepse koncentrimet e grimcave PM10 janë nën pragun e definuar të alarmimit.
“Sipas të dhënave të Sistemit Monitorues Automatik Shtetëror për Cilësi të Ajrit në ditën 21.01.2019, koncentrimet e mesme ditore të PM10 janë nën pragun e definuar të alarmimit prej 188 mikrogramë në metër kub dhe episodi i dy ditëve të fundit është ndërprerë në Shkup në vendet matëse Qendër, Karposh dhe Rektorat, Milladinovc, Manastir në vendet matëse Manastir 1 dhe Manastir 2, Gostivar dhe Tetovë”, informojnë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.
Qyteti i Shkupit informon se sot nga ora 18 hiqet transporti publik falas pas informacionit të marrë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor se koncentrimi i grimca PM10 në ajër është nën pragun e definuar të alarmimit prej 200 mikrogramë në metër kub dhe se episodi i ndotjes së rritur të ajrit gjatë dy ditëve radhazi është ndërprerë.