Ndonëse joobligative, këto rekomandime skandaloze që vijnë nga qyteti përrallor i Venecias do të hapin debat jokonstruktiv në shoqërinë maqedonase. Atje do të aktivizohen mohuesit e gjuhës shqipe, duke u thirrur në këto rekomandime dhe duke ushtruar trysni publike mbi klasën politike që të deformojë atë infrastrukturë ligjore që rregullon barazinë e gjuhës shqipe
Nga Emin AZEMI
Anëtarët e Komisionit të Venecias a thua kanë qenë në Belgjikë në Zvicër, Kanada e gjetiu për të parë se si funksionojnë në këto shtete politikat gjuhësore. Skandali i këtij Komisioni tejkalon kapriçot e një grupi njerëzish që do të duhej të kenë njohuri mbi praktikat komparative gjuhësore dhe mbi realitetet etnike në shtetet multinacionale. Shpallja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ‘pakicë kombëtare’ është skandali i parë i këtij Komisioni, i cili pa hezituar fare, denigron një etni të tërë, e cila me shekuj është pjesë e autoktonisë albanofone. Gjuha shqipe ka kaluar të gjitha sfidat e mohimit në regjime të ndryshme dhe na duket absurd që një Komision me atribute europiane të bëjë interpretime të tilla skandaloze që janë në kundërshtim me frymën europiane të komunikimeve në mes të etnive të ndryshme.
Komisioni i Venecias është sjellë ndaj gjuhës shqipe si të kishte qenë pjesë e ‘kruzhoqeve’ të dikurshme komuniste ku bënin pjesë Klimovskat, Beliqanecët etj. ku statusi i shqipes reduktohej në suaza të përdorimit shumë të ngushtë.
Në pikën 99 të projekt konkluzionit të Komisioni i Venecias të shpërndarë në internet, por që ende s’është zyrtar, shkruhet se: “Shumë dispozita të Ligjit të Gjuhëve i tejkalojnë standardet evropiane të definuara në Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Kartës Evropiane për gjuhë rajonale dhe të pakicave”.
Formulimi i gjuhës shqipe me termat e pakicave kombëtare, është një denigrim frapant që i bëhet kësaj gjuhe, ndonëse ekspertët vendorë këto formulime i kanë konsideruar të papranueshme.
Kjo matje e ligjit të shqipes në raport me konventat për pakicat etnike, sipas Naser Zyberit është e pavend, sepse amendamenti 5 i Kushtetutës shqipen nuk e trajton si gjuhë të pakicave.
“Përkundrazi e trajton si gjuhë të barabartë me maqedonishten, përveç dy fushave që rezervon kushtetuta, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjithë territorin. Të gjitha dimensionet e tjera gjuha shqipe, apo gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës edhe e barabartë me maqedonishten dhe qasja e analizës nuk mund të bëhet mbi parimet e këtyre dy dokumenteve që trajtojnë gjuhët e pakicave kombëtare dhe gjuhët rajonale”, saktëson Naser Zyberi.
Ndërkaq një problem tjetër në vlerësimin që ka bërë Komisioni i Venecias, sipas Zyberit është analiza dhe krahasimi që ka bërë Komisioni mes ligjit të gjuhëve të vitit 2008 dhe atij të miratuar në 2018-tën. “Sikur ligji i vjetër të kishte qenë korrekt, nuk do të ishte nevoja për ligj të ri”, thotë ai.
Ndonëse joobligative, këto rekomandime skandaloze që vijnë nga qyteti përrallor i Venecias do të hapin debat jokonstruktiv në shoqërinë maqedonase. Atje do të aktivizohen mohuesit e gjuhës shqipe, duke u thirrur në këto rekomandime dhe duke ushtruar trysni publike mbi klasën politike që të deformojë atë infrastrukturë ligjore që rregullon barazinë e gjuhës shqipe.
Nuk do të donim të besonim se albanofobia ka mbërri edhe në Venecia, por sipas mendimeve që erdhën prej andej, mund të fitohet përshtypja se në mungesë të informimit më burimor me realitetet etnike e gjuhësore në Maqedoni, mund të nxirren edhe rekomandime të gabueshme, siç ndodhi me këto të Komisionit të Venecias mbi gjuhën shqipe. Kjo i bie që anëtarët e këtij Komisioni janë treguar nxënës të dobët të shkollave evropiane ku interpretimi mbi politikat gjuhësore nuk lë hapësirë për standarde të dyfishta dhe rekomandime shumëkuptimëshe. (koha.mk)