Aida XHONI
Shkup, 6 dhjetor – Fakulteti Pedagogjik “Shën Klimenti i Ohrit” të mërkurën me Akademi solemne shënoi 8 Dhjetorin, festën e iluministit dhe mësuesit Shën Klimenti i Ohrit, si dhe jubileun – 70 vjet nga themelimi, shkruan gazeta KOHA. Në dekadën e shtatë të ekzistimit fakultetit Pedagogjik “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, identifikohet me probleme të mëdha. Në të, zakonisht regjistrohen studentët që nuk arrijnë të pranohen diku tjetër për shkak të suksesit të dobët, tha për gazetën Koha, Avzi Mustafa, profesor universitar në pension, duke apeluar deri tek autoritetet kompetentë të gjejnë mekanizma që të nxisin nxënësit e shkëlqyeshëm të shkollave të mesme të regjistrohen në Fakultetin Pedagogjik, pasi dy dekadat e fundit – këtu po regjistrohen ata më të dobëtit dhe si rezultat i kësaj kanë dëmtuar shumë gjenerata. “Fakulteti Pedagogjik është një ndër fakultetet me shumë peshë në shoqëri për arsye se ai fakultet është fakultet ku i jep bazat e edukimit dhe arsimit të rinjve në shoqëri. Në këtë fakultet duhet gjithsesi të shkojnë studentët të cilët janë më të mirët në shkollat e mesme dhe për këtë besoj duhet të angazhohet MASH-i që të gjejë mekanizma për ti motivuar studentët më të mirë të studiojnë në këtë fakultet. Stimulimi duhet të jetë nëpërmjet bursave të ndryshme, punësimeve të menjëhershme, si dhe forma tjera që do ti motivoj nxënësit të regjistrohen këtu. Gjithashtu, për Fakultetin Pedagogjik kandidati përveç njohurive dhe diturive, duhet të ketë edhe aftësi muzikale, vizatimi e kështu me radhe, të jetë human, ti dojë fëmijët, të ketë një komunikim të lirshëm dhe gjithsesi – edhe pamja fizike e kërkon. Po këtu, siç dihet, në këtë fakultet shkojnë ata që gjejnë shansin e fundit ku nuk mund të regjistrohen në asnjë fakultet tjetër. Kjo është për të ardhur keq, është mëkat apo tragjedi”, tha Mustafa. Ai mendon se duhet të rriten kriteret bazë për pranimin e studentëve në këtë fakultet dhe duhet të ulet numri i studentëve që pranohen. “Në të ardhmen, nëse në këtë fakultet do të kufizohet numri dhe do të pranohen gjithë ato të cilët meritojnë dhe kanë dëshirë të studiojnë në këtë drejtim, besoj se do të rregullohet çështja dhe të vijnë ata që vlejnë e jo çdokush që nuk mund të regjistrohet në fakultete të ndryshme, kthehet e regjistrohet veç për të marrë një diplomë. Sepse, kjo shkon në dëm si të vet atij studenti dhe pastaj të shoqërisë. Në universitetet e botës, sidomos në ato të Evropës Perëndimore, në fakultetin pedagogjik nuk mund të regjistrohet çdokush, ai duhet të posedojë disa aftësi tjera dhe të shpreh dashuri tamam për këtë profesion, i cili në të njëjtën kohë është profesion misionar jo vetëm që nxënësit të mund të fitojnë dituri, por të ketë edhe misionin e tij që të përhapë zhvillimin e njohurive diturive”, u shpreh ai. Gjatë shënimit të këtij jubileu u promovua gjithashtu edhe monografia “70 vjet edukim, arsim, shkencë” nga prof. dr. Mito Spasevski. Me rastin e jubileut, Fakulteti Pedagogjik të enjten organizon lexim poetik, ndërsa të premten edhe ekspozitë artistike në Çifte Hamam. (koha.mk)