Sarajevë, 25 shkurt – Një grup i madh i nxënësve dhe mësuesve nga Graçanica e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe një shofer i autobusit, të cilët javën e kaluar ishin për vizitë në Itali, ku tashmë e kanë humbur jetën 11 persona nga Kovid-19, janë vendosur në izolim shtëpiak pas vendimit të autoriteteve të zhupanisë në Tuzla.
Shoferit, i cili pas një qëndrimi treditor në Itali u paraqit në një institucion shëndetësor për shkak të inflamacionit në fyt, i është marrë strisho dhe është dërguar për analizë në Sarajevë. Më pas shoferi, së bashku me fëmijët dhe mësuesit është dërguar në izolim shtëpiak për 14 ditë, konfirmoi sot Ministrja e Shëndetësisë së zhupanisë së Tuzlës, Diana Çoliq.
Megjithatë, nxënësit nuk u testuan sepse nuk kishin asnjë simptomë që tregonte për infektimin e mundshëm me koronavirus.(koha.mk)