Nurie Emrullai është fituesja e “Fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare për të rinj” që ndahet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL).
Me motivacionin “Autore e një poezie me theks të fortë bashkëkohor, të përpunuar mbi parime të kthjellta estetike, spontane në figuracion dhe e strukturuar qartë në narracionin e vet”, juria ka vendosur që këtë vit, fituese të shpallet Emrullai.
Me këtë rast, Emrullai ka falënderuar jurinë, Qendrën Kombëtare të Librit dhe ShB “Onufri”. “Meqë m’u nda ky çmim kaq i rëndësishëm, dua që të shpreh mirënjohje që kritika letrare po e drejton lexuesin drejt krijimtarisë sime poetike. Falënderoj Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ që mbështet veprën time, dhe sigurisht jurinë letrare për vlerësimin. Jam e nderuar!”.
Më poshtë, një poezi nga Nurie Emrullai:
Orfeut tim
U harxhua ëndrra ime
si një çamçakëz i tejpërtypur,
që ia harron shijen e parë.
S’e di çfarë më mban akoma këtu,
sa kohë do të rrinë çelur portat e mishit për mua?
Më vjen të teshtij,
por kjo s’lejohet në ëndrra dhe varrime,
ndryshe duhet të gris mbathjet e trupit tim.
Ti më shfaqesh përtej rruge,
dhe unë atëherë kujtohem,
se ëndrrat kanë mesazhe.
unë afrohem të të prek dorën,
ti këtë herë shikomë!
Orfeu im, hapi sytë këtë jetë
dhe kundroje shpirtin tënd,
jam e bërë për ty,
prej dëshirash e gjaku,
prej pritjesh e mishi,
jam e bërë në ditë dhe shekuj,
jam gati të hidhem zjarreve për ty,
jam shumë gati…
të ha hirin e eshtrave të mia për ty.
Ti përtypesh,
dashurinë e mbledh topth,
e pështyn rrugëve,
një pëllumb gënjehet pas tij,
e provon ta hajë dhe mbytet.
Dikush më shkund nga krahët
dhe më zgjon të bëhem gati
për një ditë të re.