-E shqyrtuam raportin nga inspektimi i jashtëzakonshëm në “Usje” dhe do të vazhdojmë me ato procedura që me ligj nevojiten dhe nëse ka ndonjë lëshim, do të ketë edhe sanksione për atë ndërmarrje, deklaroi sot ministri i Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për padinë penale kundër çimentores “Usje” për ndotjen e Shkupit, të cilët i demantuan këto akuza.
“Kanë pasur bashkëpunim të përbashkët Inspektorati shtetëror për mjedis të jetesës dhe inspektorati lokal i Qytetit të Shkupit. Ka pasur inspektim të jashtëzakonshëm në ‘Usje’, me kërkesë të institucioneve shtetërore dhe të Qytetit të Shkupit. Rezultatet i kemi, tani ne e shqyrtojmë raportin dhe do të vazhdojmë me ato procedura që nevojiten me ligj dhe nëse ka ndonjë lëshim, do të ketë edhe sanksione për atë ndërmarrje. Në tërësi, në mënyrë transparente do ta prezantojmë, kur raporti do të shqyrtohet dhe komisioni do ta shqyrtojë tërësisht”, tha Nuredini.
Në pyetje nëse i hedh posht akuzat e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ai u përgjigj se jo, por “si Ministri, nuk do të parashtrojmë padi penale kundër askujt”.
Sipas analizës, e cila ka zgjatur një vit, siç tha ministri, u tregua se 35 deri 45 për qind, ndotja e qytetit të Shkupit vjen nga djegia e biomasës. Në vendin e dytë janë automjetet e vjetra.
“Strategjia e jonë në Qeveri, që të bëjmë ndryshim të mënyrës së ngrohjes së objekteve publike, është ajo që nevojitet dhe t’i përkrahim qytetarët tanë të bëjnë ndryshim të, sipas mundësisë, ngrohjes së shtëpive. Por, çelësi i tërë problemit do të jetë rrjeti sekondar dhe terciar për gazsjellës në shtetin tonë”, tha Nuredini.