Nuredini: Bashkëpunimi rajonal do të lehtësojë menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave

15

Shkup, 8 tetor – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimi Hapësinor Naser Nuredini sot, mori pjesë në takimin ministror mbi mjedisin në Triestë, Itali. Me ftesë të sekretarit të Përgjithshëm të Nismës Evropiane Qendrore Roberto Antonione dhe ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Urban të Malit të Zi Ratko Mitroviq, në emër të presidencës malazeze të Nismës së Evropës Qendrore (CEI).

Siç kumtoi MMJPH-ja, në segmentin e parë të takimit, i cili ishte i karakterit të mbyllur, u diskutuan sfidat në menaxhimin e mbeturinave, me këtë rast ministri Nuredini prezantoi legjislacionin e ri dhe strategjinë shtetërore për krijimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave të orientuara drejt ekonomisë rrethore. Ai theksoi nevojën për bashkëpunim në nivel rajonal për zhvillimin e degëve të përpunimit dhe riciklimit në menaxhimin e mbeturinave, si dhe qasjen novatore në përdorimin e lëndëve të para sekondare, si dhe përfitimet e ekonomive të shkallës dhe shkëmbimin e njohurive dhe praktikën e mirë.

Sesioni i fokusuar në këtë temë u mbyll me miratimin e një Deklarate të Përbashkët për Bashkëpunimin në Menaxhimin e Qëndrueshëm të Mbeturinave në rajonin e IEQ (CEI).

Sesioni i dytë është i hapur për publikun dhe i përkushtohet menaxhimit dhe mbrojtjes së ujërave, veçanërisht marrëdhënieve midis vendeve që ndajnë trupat ujorë ndërkufitar, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërtimin e elasticitetit të shoqërive dhe mjedisit.