Amanda Nunes do të mbrojë në orët e para të mëngjesit të nesërm titullin kampion bote të peshës “bantam” (pesha gjel) ndaj rivales Valentina Shevchenko, sfida kryesore e eventit të UFC-215, që zhvillohet në Kanada. Një sfidë që pritet me interes, teksa përballë janë dy sportiste të forta, që kanë dueluar mes tyre 18 muaj më parë, me Nunes që fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve. Revanshi duhej të ishte zhvilluar dy muaj më parë, në UFC-213, por sportistja braziliane u tërhoq pak orë para sfidës, për shkak të një problemi shëndetësor. Por tashmë gjithçka është gati.
Vetë Nunes ka pranuar se nuk ka më probleme dhe ka thumbuar UFC-në në prag të kësaj sfide, që sipas saj nuk e ka mbështetur. “Unë nuk jam e bukur si Rousey apo Shevchenko, por jam kampione e botës me meritë. Jam gati për këtë sfidë”, tha sportistja braziliane, që sot ka bërë edhe peshimin e saj në prag të sfidës me Shevchenko. Më tej, Nunes tha: “Do ta mbroj titullin, do ta shihni në kafaz se çfarë jam në gjendje të bëj”, u shpreh braziliania, që e mbron për herë të dytë titullin, pas fitores më 30 dhjetor ndaj ikonës Ronda Rousey.