Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) përgjegjës për Çështjet Humanitare, Mark Lowcock tha se pas një periudhe disa mujore sot janë dërguar ndihma në Gutën Lindore afër Damaskut të Sirisë ku rreth 95 për qind e popullatës është nën rrethim, raporton Anadolu Agency (AA). “Numri i fëmijëve që janë përballur me kequshqyerje është në përmasa të frikshme dhe duhet të evakuohen më shumë se 400 njerëz që kanë nevojë për ndihmë mjekësore”, tha ai. Lowcock ka dhënë informacione për situatën njerëzore në Siri duke u lidhur nëpërmjet një video- konference nga Omani në takimin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së ku u diskutuan zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ai tërhoqi vëmendjen se ende në Siri ndodhen më shumë se 13 milionë persona që kanë nevojë për ndihmë humanitare. Lowcock tha se për shkak të konflikteve të cilat vazhdojnë kryesisht në lindje të vendit ende ka zhvendosje të popullatës brenda tij dhe se që nga fillimi i këtij viti 1.8 milionë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Ndër të tjera duke vënë në dukje se shqetësimet, konfliktet dhe sulmet ajrore në Rakka si dhe ndikimet e tyre mbi infrastrukturën civile Lowcock theksoi se gjatë operacionit për çlirimin e Rakkas nga organizata terroriste DEASH janë zhvendosur nga vendet e tyre 436 mijë persona. Më tej Lowcock ka potencuar se për shak të konflikteve në Dejrizor janë zhvendosur nga vendet e tyre më shumë se 250 mijë njerëz, dhe se konfliktet kryesisht në këtë rajon kanë shkaktuar ndërprerjen e luftimit të epidemisë së paralizës së fëmijëve që vazhdon të përhapet në këtë zonë. Lowcock tha se kanë ardhur lajme se këtë muaj në Humus organizata terroriste DEASH ka ekzekutuar të paktën 128 persona duke shtuar më tej se në kufirin Siri-Jordani kanë mbetur të bllokuar rreth 50 mijë civilë. “Në Gutën Lindore vazhdojnë konfliktet ditore. Në Gutën Lindore ku rreth 95 përqind e popullatës është nën rrethim në Siri që prej mujash nuk dërgohen ndihma. Që nga fillimi i këtij viti janë dërguar ndihma për 110 mijë persona nga 400 mijë civilë që janë gjithsej, ndërsa sot janë dërguar ndihma ushqimore dhe mjekësore për 40 mijë persona. Numri i fëmijëve që janë përballur me kequshqyerje është në përmasa të frikshme dhe duhet të evakuohen më shumë se 400 njerëz që kanë nevojë për ndihmë mjekësore”, tha Lowcock.