Futbollisti portugez i Juventusit u pyet për “Topin e Artë” mbas fitimit të finales së Ligës së Kombeve dhe u përgjigj: “Çfarë mund të bëj tjetër?” Në fakt, CR7 pati një sezon disi zhgënjyes në nivel personal. Ai e përfundoi sezonin si shënuesi më i mirë i klubit të tij, por jo golashënuesi më i mirë në Serie A.
Gjithashtu, pati ulje drastike në numrin e golave të shënuar prej tij në një sezon, duke u kthyer shumë mbrapa në këtë drejtim, kur luante në “Old Trafford”, në vitin 2008. Sulmuesi portugez, ashtu si Messi, fitoi titullin në kampionatin përkatës, por eliminimi i hershëm në Champions mund t’i minimizojë shanset e tij për çmimin prestigjioz.
Sadoqë e udhëhoqi kombëtaren e tij drejt fitimit të Ligës së Kombeve, nuk mund të vihet në garë për çmimin e madh individual para rivalit të tij argjentinas. Përmes info-grafikëve shoqërues të kësaj analize mund ta bëni lehtë dallimin mes të dyve, referuar sezonit që sapo u mbyll, në të gjitha garat, dhe të zbuloni se cili është më pranë “Topit të Artë”.
Në këtë mënyrë, me shifra e jo me fjalë, mund t’i jepet përgjigje edhe pyetjes që ngriti vetë Ronaldo: : “Çfarë mund të bëj tjetër?”