Beograd, 24 tetor – Në 24 orët e fundit, në Serbi janë regjistruar 757 raste të reja të të infejtuarve me koronavirusin e ri, që është numër më i madh për një ditë nga fillimi i pandemisë. Në këtë interval kohor kanë vdekur tre persona.
Më shumë të infektuar të rinj ka në Beograd – 433.
Në 24 orët e fundit janë hospitalizuar 135 pacientë, ndërsa 23 janë në aparate për frymëmarrje. Për momentin në spitale ka 616 pacientë me Kovid-19. Gjithsej 38.872 janë të infektuar në Serbi nga fillimi i pandemisë, ndërsa 789 kanë vdekur.
Rekord të të infektuarve të rinj për një ditë ka edhe në Bosnjë e Hercegovinë – 1.251 të infektuar të rinj, ndërsa 10 pacientë kanë vdekur.
Në Slloveni, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 1.963 raste të reja me koronavirus, 300 më shumë se një ditë më parë, ndërsa kanë vdekur 18 persona. Ky është rekordi i ri i zi për numrin e rasteve të reja dhe numrin e rasteve të vdekjeve në Slloveni.
Në 24 orët e fundit në Bullgari janë konfirmuar 1.589 raste të reja me koronavirus, diçka më pak se në bilancin e djeshëm rekord prej 1.595 të infektuar të rinj, ndërsa 13 persona kanë vdekur.