Tiranë, 7 gusht – Në Shqipëri është shënuar rekord i ri negativ i rasteve pozitive me Kovid-19 në një 24 orësh, nga fillimi i pandemisë më 9 mars kur sëmundja ishte diagnostifikuar te një baba dhe i biri i tij pas kthimit të tyre nga Italia.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nga 586 testet e bëra në 24 orëshin e fundit, rezultat pozitiv është marrë te 135 persona, që është shifër më e lartë deri tani. Edhe më tutje Tirana mbetet vatra kryesore e sëmundjes, prej ku janë 113 të sapoinfektuar.
Në të njëjtën kohë në listën e të shëruarve janë futur 72 ose gjithsej 3.227 persona ndërsa i vdekur është një person ose gjtihsej 189 deri tani.
Me të diagnostifikuarit e fundit, numri i tërësishëm i të infektuarve arrin 6.151, ndërsa aktivë të sëmundjes janë 2.735 persona. Siç ka informuar Ministria rreth 1.600 mjekë amë në të gjithë territorin e vendit e ndjekin gjendjen e të sëmurëve të cilët janë me pasqyrë të lehtë të sëmundjes.
Edhe më tutje brengos rritja e përhershme e numrit të personave të cilëve u nevojitet shërim spitalor. Në Klinikën Infektive dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” e njohur si spitali Kovid-2, trajtohen 122 pacientë prej të cilëve 23 në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga fillimi deri tani në Shqipëri janë bërë 44.881 teste të rasteve të dyshimta.
Për shkak të vëllimit të rritur të punës në spitalin Kovid-2 sot janë punësuar 50 infermiere me të cilat u takua ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila mes tjerash porositi se përforcimi i kapaciteteve spitalore me resurse njerëzore është në fokus të Qeverisë.