Edhe pse janë vendosur persona të autorizuar për të mbajtur rendin megjithatë shumë pak respektohet masa e distancës prandaj edhe kohëve të fundit Tetova me rrethinë është një ndër rajonet me më shumë të infektuar nga virusi Kovid
Urim HASIPI
Tetovë, 1 korrik – Pa maska dhe pa respektuar distancën. Qindra qytetarë të Tetovës dhe rrethinës çdo ditë vërehen rrugës për në Banjat e Tetovës por shumica prej tyre pa respektuar as minimumin e rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore për mbrojtje nga virusi Covid 19. Pjesa më e madhe e këtyre qytetarëve lëvizin në grupe nga katër apo pesë persona. Ikja nga vendet publike në qytet ka bërë që shumë qytetarë kryesisht në orët e pasdites të dalin në banjat e Tetovës. Por ajo që bie në sy është se nuk respektohen aspak masat mbrojtëse. Qytetarët shprehen se dalja në natyrë është pikërisht për të shmangur daljen në qytet në vende publike ku sipas tyre ka rrezik për infektim me virusin Covid 19.
“Kemi dalur sepse në natyrë mund edhe të mbajmë distancën dhe ka më pak rrezik. Jemi me familjen dhe nuk kemi pse të mbajmë maska. Në qytet është më rrezik sepse nuk e dimë se kush e ka virusin dhe kush nuk e ka. Kështu në këto ditë kur koha është shumë e nxehtë ne dalim në këtë vend të freskët. Mundohemi që mbajmë distancë aq sa mundemi por këtu ndihemi më të sigurt”, thotë Arifi, një banorë i Tetovës. Ai së bashku me familjen e tij gati se çdo ditë del në këtë vend për të kaluar kohën. Por janë edhe me qindra të tjerë që aspak nuk u bënë përshtypje se mos mbajtja e distancës dhe mos vendosja e maskës është shumë e rrezikshme që të infektohen. Pjesa dërmuese e këtyre qytetarëve mendojnë se dalja në natyrë është shumë pak e rrezikshme për marrjen e virusit, prandaj edhe kanë zgjedhur banjat e Tetovës për të kaluar një pjesë të ditës. Nga ana tjetër, nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë thonë se qytetarët duke mos mbajtur llogari për shëndetin e tyre nuk e kanë idenë se ku janë infektuar.
“Shumica e qytetarëve I fshehin kontaktet dhe nuk tregojnë se kanë patur kontakt me një person të infektuar. Ka por shumë pak janë të tillë që tregojnë se kanë qenë në kontakt me person të infektuar”, thonë nga qendra për shëndet publik në Tetovë.
Nga Policia e Tetovës thonë se qyteti I Tetovës është në vendin e parë së bashku me Shkupin për nga numri I shqiptimit të dënimeve për shkak të mos respektimit të masave anti-covid 19.”Dënimet kryesisht kanë të bëjnë me mos respektimin e orës policore, me mos respektimin e protokolleve për punë, mos mbajtje të maskës në vende publike, mos mbajtje të distancës, mos respektimin e masës së izolimit 14 ditor dhe kështu më radhë”, thonë nga Policia e Tetovës.
Edhe autoritetet shëndetësore por edhe kryetarët e komunave, pothuajse çdo ditë apelojnë që qytetarët të respektojnë masat sepse në të kundërtën mundësia e përhapjes së virusit është shumë e madhe. Por, jo vetëm në banjat e Tetovës nuk respektohen masat, njëjtë është edhe para shumë institucioneve në qendër të Tetovës, ku shumica e qytetarëve presin radhë ose në bankë ose në postë për të kryer punët e tyre. Edhe pse janë vendosur persona të autorizuar për të mbajtur rendin, megjithatë shumë pak respektohet masa e distancës prandaj edhe kohëve të fundit Tetova me rrethinë është një ndër rajonet me më shumë të infektuar nga virusi Kovid-19. (koha.mk)