Shkup, 13 qershor – Nuk pritet derdhje e lumenjve më të mëdhenj në Maqedoni pas paralajmërimit për valë të re të lagësht me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima dhe erë prej sot pasdite deri në fund të javës.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informon se niveli i ujit të lumenjve është në trend të rënies dhe se edhe pse vende-vende reshjet mund të jenë të rrëmbyeshme, nuk priten derdhje të lumenjve më të mëdhenj nga shtretërit e tyre.
“Megjithatë, nëse proceset do të jenë më intensive dhe nëse në vende të caktuara lokalisht për kohë të shkurtë ka sasi më të mëdha të reshjeve të shiut, është e mundur të vijë deri te rritja e përshpejtuar e nivelit të ujit të lumenjve më të vegjël (vende-vende janë të mundura edhe derdhje lokale) pellgjet ujore të së cilave nuk do të kishin kapacitet të mjaftueshëm të madh të pranojnë sasi të këtilla të mëdha të shiut. Tek lumenjtë e vegjël gjatë reshjeve intensive është e mundur dukuria e proceseve erozive, me ç’rast do të vinte deri te derdhja e shpejtë e ujit në pjesët e poshtme, duke mbledhur, me atë rast, me vete drunj, degë, gurë dhe materiale të tjera”, sqarojnë nga DPHM.
Në mjediset urbane nëse ka mot të lig të shoqëruar me erë të fuqishme dhe breshër, është e mundur të ketë ujë nëpër rrugë dhe nënkalime për shkak të pamundësisë për thithjen e tij dhe zënie të mundshme të rrjetit të kanalizimit.
Gjatë erës së fuqishme është e mundur dukuria e valëve përgjatë brigjeve të liqeneve natyrore në vend.
Nga DPHM rekomandojnë për lëvizje të kujdesshme afër lumenjve më të vegjël dhe kujdes në ato vende ku në ditët në vijim priten reshje të fuqishme intensive të shiut.