Keylor Navas nuk dëshiron të vazhdojë më në Madrid si zëvendësues. Portieri është i mërzitur me rolin e tij aktual në ekipin e bardhë (luan vetëm në Kupën e Mbretit) dhe dëshiron të gjejë një rrugëdalje. Destinacioni që e tërheq atë është Premier League. Njerëzit e tij të besuar kanë punuar për disa javë për të marrë ofertë nga një ekip anglez, që e josh Keylor, i cili ka ndërmend të transferohet në Angli, merkaton e ardhshme të verës.
Ndërkohë, klubi madrilen e kupton zhgënjimin e tij, ndaj do ta lejojë të largohet në fund të sezonit, nëse një ofertë për të duket e drejtë. Portieri do të konsideronte largimin edhe në merkaton e dimrit, nëse një ofertë e bind atë, por për momentin, Real Madridi nuk është i gatshëm për këtë opsion. Sezonin e fundit, kur Keylor u dëmtua, Kiko Casilla nuk ofroi një performancë të mirë. Për këtë arsye, ai do të vazhdojë deri në fund të sezonit të qëndrojë si zëvendësues me garanci të plota i Courtois.
Me largimin e Zidane, Keylor e humbi vendin e titullarit në “Santiago Bernabeu”. Trajneri francez ndaloi ardhjen e De Gea, pastaj edhe të Kepa Arrizabalaga, pasi kishte besim absolut te portieri kostarikan. Por, verën e këtij viti mbërriti Courtois nga Chelsea, ndaj Keylor humbi pozitën e tij si startues. Lopetegui zgjodhi një masë të ndërmjetme (La Liga-n për Courtois dhe Champions e Kupën e Mbretit për Keylor), por me Solari, kostarikani duhet të llogarisë vetëm ndeshjet e “Copa del Rey”.